Kosova

“Korrupsioni në Kosovë vazhdon të jetë në gjitha sferat”


Instituti i Kosovës për Drejtësi.

Sipas Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), sundimi i ligjit në Kosovë vazhdon të minohet nga korrupsioni.

Madje është i theksuar në të gjitha sferat.

Përmes një komunikate për media, KDI-ja ka thënë se shqetësim serioz vazhdon të mbetet mosefikasiteti i institucioneve të drejtësisë.

“Sundimi i ligjit në Kosovë vazhdon të minohet nga korrupsioni, që është i përhapur në të gjitha sferat”.

“Gjatë javëve të fundit, gjykatat kanë liruar apo kthyer në rigjykim tri raste të korrupsionit, ndërsa për disa raste të korrupsionit të nivelit të lartë kanë munguar aktgjykimet dënuese. Edhe më rëndues mbetet fenomeni i parashkrimit të rasteve të korrupsionit – pa një epilog gjyqësor, për shkak të zvarritjeve dhe mosadministrimit adekuat të procedurave gjyqësore”, thuhet në komunikatë.

Ndërsa është thënë se gjatë vitit 2022 janë parashkruar dhjetëra raste të korrupsionit.

“Ndër arsyet kryesore që po i kontribuojnë parashkrimit të rasteve të korrupsionit është mungesa e mekanizmave efektiv të kontrollit dhe llogaridhënies për gjyqtarët dhe prokurorët nga KPK dhe KGJK. Paradoksalisht, vlerësimet vjetore të performancës së këtyre të fundit nuk i reflektojnë zvarritjet apo dështimet në ndjekjen dhe gjykimin e rasteve të korrupsionit”.

“Numri i prokurorëve dhe gjyqtarëve që janë subjekt i masave disiplinore për mosperformancë është minimal, e madje disa prej tyre edhe janë avancuar”, thuhet në komunikatë.

Tutje është sqaruar se një kulturë e tillë është e papranushme dhe rrezikon demokracinë dhe sundimin e ligjit.

“Një kulturë e tillë e pandëshkueshmërisë ndaj kryerësve së veprave të korrupsionit, por edhe mosefikasiteti i ndjekjes së tyre, janë të papranueshme dhe të rrezikshme për demokracinë dhe sundimin e ligjit”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore