Lajme

Koreja e Jugut miraton ligjin për të mbrojtur të drejtat e mësuesve pas protestave masive


Koreja e Jugut ka miratuar një sërë rishikimesh ligjore që synojnë përmirësimin e të drejtave të mësuesve në shkolla.

E gjitha vjen pas disa javësh protestash të shkaktuara nga një sërë vetëvrasjesh mësuesish që thuhet se lidhen me ankesat keqdashëse nga prindërit.

Katër projektligjet, të miratuara në Asamblenë Kombëtare, përfaqësojnë një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të kushteve të punës dhe mbrojtjes për arsimtarët në vend.

Miratimi i një prej projektligjeve, i cili kishte një mbështetje unanime, do të thotë se mësuesit nuk do të pezullohen më automatikisht nëse akuzohen për abuzim të fëmijëve.

Projektligji ndalon gjithashtu drejtorët e shkollave të minimizojnë ose fshehin aktivitetet që mund të kenë shkelur të drejtat e një mësuesi.

Sakaq, sindikatat e mësuesve e kanë mirëpritur masën.

“Miratimi i suksesshëm i këtyre ligjeve është falë përpjekjeve të mësuesve që kanë dalë në rrugë çdo javë. Ne shprehim mirënjohjen tonë të thellë ndaj tyre”, ka thënë Federata Koreane e Sindikatës së Mësuesve.

Kurse Sindikata Koreane e Mësuesve dhe Punëtorëve të Arsimit e përshkroi miratimin e katër projektligjeve si një “hap të parë drejt normalizimit të arsimit publik dhe garantimit të autoritetit të mësimdhënies”.

Nga ana tjetër, ajo ka paralajmëruar  se arritja e efektivitetit të plotë të këtyre ligjeve mund të jetë sfiduese pa fuqi punëtore të mjaftueshme, mbështetje buxhetore dhe legjislacion shtesë.

Një dispozitë e diskutueshme që do t’i lejonte mësuesit të linin një regjistër të studentëve që shkelën të drejtat e mësuesve në shkollë, duke ndikuar potencialisht në perspektivat e tyre të pranimit në universitet, u përjashtua.

Ndryshimet ligjore pasojnë protesta me javë të tëra dhe një largim në shkallë të gjerë nga mësuesit që shprehin zhgënjime për trajtimin abuziv si nga prindërit ashtu edhe nga nxënësit, duke përfshirë akuzimin për abuzim të fëmijëve për disiplinimin e nxënësve.

Lëvizja e mësuesve u ndez nga vdekja e një mësueseje 23-vjeçare të shkollës fillore në korrik.

Ajo u gjet e vdekur në shkollën e saj në Seul në një vetëvrasje të dukshme pasi thuhet se shprehu ankthin për ankesat e prindërve abuzues.

Që atëherë, kanë dalë në dritë edhe vetëvrasje të tjera mësuesish që dyshohet se kanë lidhje me ankesa keqdashëse.

Në gusht, qeveria zbuloi një sërë udhëzimesh për të rritur të drejtat e mësuesve, duke përfshirë masat për të adresuar ankesat abuzive.

Në Seul, një shërbim chatbot do të futet në shkolla për të trajtuar ankesat e thjeshta të prindërve në emër të mësuesve.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore