Lajme

Konjufca: Propozimi i BE-së s’shkon në Gjykatën Kushtetuese, draft-statuti mund të hartohet nga Kosova


Glauk Konjufca

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, deklaroi të hënën se ekzekutivi kosovar mund ta propozojë vetë një draft-statut për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, duke shtuar se propozimi i fundit i Bashkimit Evropian (BE) për kushtet e vetëmenaxhimit të komunitetit serb në Kosovë nuk do të dërgohet për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

Konjufca, në një përgjigje për Radio Televezicionin 21 të hënën, theksoi se zbatimi i marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe – obligim ndërkombëtar i Kosovës – do të nis vetëm atëherë kur të nënshkruhet marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi (Bruksel, 27 shkurt 2023 – Ohër, 18 mars 2023) nga të dyja palët.

“Në momentin që do t’i vije koha, qeveria do ta propozojë vetë një draft-statut dhe do të marrë pjesë edhe nga drafti i BE-së […] Nuk mendoj se draft-statuti i BE-së duhet të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese […] Dhe është një obligim ndërkombëtar që do zbatohet kur t’i vije koha. Në këtë rast, kur të nënshkruhet Marrëveshja e Ohrit”, nënvizoi kreu i Kuvendit të Kosovës.

BE-ja propozoi një draft-statut për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në kuadër të procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi në tetor të vitit të kaluar, ndërsa i njëjti është pranuar në parim nga dy qeveritë respektive si “bazë e mirë” për të vazhduar përpara. Megjithatë, kjo çështje u bllokua për shkak të tensioneve në veri të vendit.

Propozimi i BE-së për Asociacionit e Komunave me Shumicë Serbe thuhet se tregoi kujdes ndaj “vijave të kuqe” të Kosovës: Vendimi i Gjykatës Kushtetuese (2015), letra e ish-shefes së diplomacisë evropiane Federica Mogherini (2016) dhe qëndrimi i Shteteve të Bashkuara (SHBA) se ky mekanizëm nuk do të ketë kompetenca të zgjeruara ekzekutive për serbët.

Gjykata Kushtetuese nuk mund ta shqyrtojë draft-statutin për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe derisa ta dekretojë Qeveria e Kosovës, ndonëse bashkësia e organizuar ndërkombëtare e konsideron hap të parë drejt garantimit të një niveli adekuat të vetëmenaxhimit për komunitetin serb që përbën shumicën e popullësisë në pjesën veriore të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore