Lajme

Konjufca: Lidhja e Prizrenit e ka themeluar kombin modern shqiptar


Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, në 143-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit, ka thënë se kjo lidhje është një ndër ngjarjet më të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar.

Sipas tij, Lidhja e Prizrenit e ka themeluar kombin modern shqiptar, pasi ajo paraqet kulmimin politik të rilindjes kombëtare.

“Kjo hyn si ngjarja prej më të rëndësishmeve në të gjithë historinë e kombit shqiptar. Lidhja e Prizrenit e ka themeluar kombin modern shqiptar, sepse e paraqet kulmimin politik të rilindjes tonë kombëtare, e cila siç dihet, e ka pasur dimensionin e vet kulturor, identitar, gjuhësor dhe atë politik”, është shprehur Konjufca.

Ndërkaq, ai thekson se, ndërsa “Lidhja e Prizrenit dhe shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë kanë qenë ngjarjet më të rëndësishme për shekullin e 20-të”,  “çlirimi i Kosovës nga Serbia dhe shpallja e Pavarësisë së Kosovës janë ato më të rëndësishme të shekullit të 21-të”.

“Këta janë gurët kilometrikë të rëndësishëm të historiografisë tonë, të cilat janë të brendashkruar fuqishëm brenda vetëdijes sonë kombëtare, kolektive dhe identitare”, shtoi ai.

Sipas tij, nuk është e rastësishme që qindra përfaqësues të trojeve shqiptare janë mbledhur në Prizrenin historik.

“A thua pse e zgjodhën Prizrenin? Arsyeja është e qartë, ata e zgjodhën Prizrenin për arsye se e zgjodhën zemrën e shqiptarisë, e zgjodhën vendin ku ndiheshin më të sigurtit, e zgjodhën vendin, e cila edhe në kuptimin e gjeografisë së atëhershme të shekullit të 19-të e përbënte epiqendrën gjeografike të kombit shqiptar”, ka theksuar Konjufca.

Po ashtu, kryeparlamentari Konjufca ka thënë se, duke mbrojtur vlerat më të larta të kombit shqiptar, duke i respektuar ato dhe duke e kujtuar këtë ngjarje bashkë me të tjerat e historisë “ne e nderojmë veten tonë dhe brezave që do t’i lëmë pas ua garantojmë që do t’ua bartim këtë trashëgimi, të cilën na ka lënë të parët tonë në luftë për liri”.

Në ceremoninë e shënimit të 143-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, i pranishëm ishte edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.

Sipas tij, monumenti i Lidhjes së Prizrenit, i rrethuar me monumente të rëndësishme të trashëgimisë, paraqet një perlë të trashëgimisë kulturore të qytetit, Kosovës dhe gjithë kombit shqiptare”.

“Hapësira ku është zhvilluar kjo ngjarje e rëndësishme për nder të 100-vjetorit të lidhjes është shndërruar në muze. Kompleksi është i përbërë nga disa njësi ku janë të vendosura sektori historik i muzeut, sektori etnologjik, galeria e arteve figurative dhe biblioteka”, shtoi Çeku.

Në anën tjetër, edhe kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka thënë se “ne jemi këtu që të vazhdojmë punën e 300 përfaqësuesve të të gjitha krahinave”.

Ai ka treguar se festat në Prizren fillojnë më 10 qershor dhe mbarojnë më 12 qershor, “ku gjatë këtyre festave, sipas tij përkujtohet jo vetëm sakrifica e atyre që u lidhën në Kuvendin e Lidhjes shqiptare të Prizrenit, por edhe ajo e të gjitha gjeneratave që erdhën pas tyre për të realizuar ëndrrën tonë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore