Lajme

Konjufca: Ekipi menaxhues për hartimin e Statutit të Asociacionit pati qëndrim tronditës për neve, atje u prezantuan interesat e Serbisë


Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, pas lirimit të anëtarëve nga detyra të Ekipit Menaxhues, të thirrur për hartimin e draft-statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, ka thënë se ky është një vendim i duhur që është dashur të merrej më herët.

Ai pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit, ka deklaruar se “gjithçka ishte e pritshme në lidhje me atë çka ndodhi në Bruksel”.

“Pra, ekipi menaxhues i cili ishte vendosur nga qeveritë të mëparshëm të Kosovës, pati një qëndrim vërtetë tronditës për neve, meqenëse atje i prezantoi interesat e Republikës së Serbisë, e jo interesat e Republikës së Kosovës”, deklaroi Konjufca.

Kryetari i Kuvendit, tutje i ka fajësuar institucionet e kaluara që nuk kanë vepruar në bazë të interesave të Kosovës.

“Po e shihni edhe vetë çfarë ekipi menaxhues dhe çfarë institucione kanë vendosur më herët qeveritë e kaluara, kanë vendosur zyrtarë të cilët absolutisht nuk kanë lidhje me interesat e Kosovës”.

Konjufca shtoi se, “me aq sa dëgjova njëra nga to ishte bërë deputete në Parlamentin e Serbisë dhe ishte deputete e partisë së Aleksander Vuçiç-it dhe ne nuk patëm se çfarë të presim tjetër nga ky ekip menaxhues”.

Ndërsa komentoi edhe draftstatusin që ishte prezantuar nga ky ekip.

“Ky ekip menaxhues e prezantoi një draft status i cili faktikisht është një lloj i Republikës së Serbisë brenda Republikës së Kosovës, kjo sigurisht që ishte e papranueshme për neve dhe për institucionet tona”.

“Një ekip që prezanton interesat e Aleksander Vuçiç e jo interesat tonë të Kosovës të cilët kanë sakrifikuar shumë që të arrihet shteti dhe liria nuk ka çka të kërkoj në pozicione zyrtare dhe nuk ka se si t’i përfaqësojë popullin dhe qytetarët e Kosovës, pra ata e përfaqësuan Serbinë në ditën e djeshme dhe shumë mirë që u shkarkuan”.

I pyetur nga gazetarët për marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë dhe marrëveshjen që mund të arrihet, Konjufca është shprehur pesimist që marrëveshja të arrihet shpejt.

“Pa ndryshu Serbia, mua nuk më duket që mund të ketë një marrëveshje në një periudhë të shkurtë kohor”.

“Ajo çka e lejon Kushtetuta jonë është shumë e kufizuar, nëse do të dëshironi ta krijoni një hapësirë për një Asociacion e i cili do të ishte plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës përbesë hapësira është shumë e vogël. Hapësirë ka vetëm për një Asociacion simbolik, diçka e cila do të ishte në një formë të një shoqate, por nuk ka mundësi më shumë, nuk ka hapësirë”.

Konjufca shtoi se e di që ky “Asociacion simbolik” do të ishte i papranueshëm për Serbinë, “por punë e madhe që është e papranueshme për Serbinë”.

“Kjo është ajo çka ne përfaqësojmë, këto janë interesat tona dhe prej këtyre nuk lëshojmë pe”.

Për Veriun ai theksoi se pozicioni ndërkombëtar ka qenë në përputhje me interesat e Kosovës.

“Sa i përket Veriut unë mendoj që pozicioni i faktorit ndërkombëtar ka qenë shumë i mirë dhe në përputhje me interesat e Kosovës, e kjo ka qenë që pa u kthyer serbët t’i pranojnë institucionet e Kosovës dhe pa u kyçur në zgjedhje nuk mund të ketë kurrfarë bisedime për Asociacionin. Ky është parakushti”.

“Kurse ata parakushtin e kanë vendosur në anën e kundërt, ata po thonë pa u bë Asociacioni nuk ka pjesëmarrje në zgjedhje dhe në institucionet e Kosovës”.

Kryetari i kuvendit i bindur edhe një herë ka deklaruar se “nuk ka heqje dorë nga principet tona kushtetuese dhe prej kësaj kornize të cilën ne e prezantojmë në formë parimi, nuk mund të ketë kompromis këtu, kompromisi e shkatërron kushtetushmërinë e Kosovës”.

Ndërsa, ndryshe nga Kurti i cili tha se refuzoi draf-statutin e prezantuar në takimin e 2 majit, përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, njoftoi se Draft-Statuti i prezantuar nga Ekipi Menaxhues i përberë nga serbët e Kosovës, do të jetë pika startuese për zbatimin e Asociacionit të Komunave me shumicë.

“Palët bënë një hap të rëndësishëm dhe simbolik drejt zbatimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe të pajtuar 10 vjet më parë. Sot Ekipi Menaxhues i përbërë nga serbët e Kosovës prezantoi draftin e parë. Nuk është drafti final, është pikë fillestare, është drafti i parë i statutit të Asociacionit”.

Borrell deklaroi se çfarë ndodhi në takimin e nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ishte “në linjë me Nenin 7 të marrëveshjes së re”.

“Ky draft është vënë në tavolinë dhe ishte e rëndësishme”, deklaroi ai, duke pranuar se të dyja palët kanë mendime shumë të ndara për atë se çfarë duhet të jetë ky mekanizëm për komunitetin serb që jeton në Kosovë.

“Kurti dha pikëpamjet e tij për mbrojtjen e të drejtave të serbëve të Kosovës dhe siç pritej, pikëpamjet e palëve janë shumë larg njëra tjetrës. Nuk pritja gjë tjetër, isha i sigurt se palët do t’i kenë pikëpamjet e ndryshme. Por, përkundër mospajtimeve, ata u pajtuan të fillojnë negociatat”, pohoi Borrell.

Ndryshe një ditë pas takimit, saktësisht më 3 maj ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, njoftoi se ka liruar nga detyra anëtarët e Ekipit Menaxhues, të thirrur për hartimin e draft-statutit të Asociacionit.

Krasniqi tha, se vendimi i tij bazohet në Marrëveshjet e Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore