Lajme

Konjufca: Britania ka pasur dhe vazhdon të ketë rol në rimëkëmbjen e Kosovës


Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca dhe deputeti i Parlamentit Britanik njëherësh i dërguar i Kryeministrit për Tregti në Ballkanin Perëndimor, Martin Vickers.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i shoqëruar nga këshilltarët ka pritur në takim deputetin e Parlamentit Britanik njëherësh i dërguar i Kryeministrit për Tregti në Ballkanin Perëndimor, Martin Vickers, i cili shoqërohej nga ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abott.

Nga zyra e Kuvendit të Kosovës, kanë thënë se në takim, ndër të tjera, është biseduar për zhvillimet politike, bashkëpunimin ndërparlamentar, atë ekonomik dhe tregtar ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Konjufca, falënderoi Mbretërinë e Bashkuar për mbështetjen e vazahdueshme që i ka dhënë dhe vazhdon t’i jap Kosovës në të gjitha etapat e shtetndërtimit.

“Mbretëria e Bashkuar ka pasur dhe vazhdon të ketë rol të veçantë në çlirimin, pavarësinë, rindërtimin dhe rimëkëmbjen e Kosovës. Bashkë me miqtë, shteti ynë ka shënuar arritje të mëdha dhe në partneritet me ta do të ecën drejt objektivave të së ardhmes”, ka thënë Konjufca, duke kërkuar përkrahjen e mëtejme për proceset nëpër të cilat po kalon Kosova.

Ndërsa, edhe deputeti Vickers e ka falënderuar kryetarin Konjufca për pritjen si dhe konfirmoi vazhdimin e mbështetjes së Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën, si dhe përkushtimin për intensifikimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.

Vickres është britaniku i dytë që po e viziton Kosovën brenda pak ditësh, pasi në Prishtinë qëndroi për vizitë Emisari i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach.

Ai u takua me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi dhe presidenten Vjosa Osmani.

Peach pas përfundimit të vizitës së tij në Kosovë, përmes një video-mesazhi kishte listuar disa nga prioritet e tij si emisar, ku mes tjerash ka përfshirë zgjidhjen e çështjes së viktimave të luftës dhe personave të zhdukur.

Stuart Peach

Forcimi i institucioneve demokratike, një qasje serioze në trajtimin e krimit të organizuar, ishin disa nga prioritetet e tjera të Peach.

Ish-ushtaraku britanik i cili tashmë është veshur me petkun e një diplomati ka potencuar se detyra e tij si emisar special është që të mbështes punën e Britanisë së Madhe në promovimin e stabilitetit dhe prosperitetit në Gadishullin Ballkanik.

Peach theksoi se për dialogun Kosovë-Serbi po bashkëpunon me Bashkimin Evropian, pasi sipas tij ky proces siç është prioritet për Kosovën, është edhe për Britaninë e Madhe.

Ndërkaq vizitën Peach fillimisht në Serbi e më pastaj në Kosovë, njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare e shohin si një rigjallërim të politikës së jashtme britanike post-BREXIT.

Rëndësia e Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor dhe në veçanti për dialogun Kosovë-Serbi është strategjike, marrë parasysh investimin e saj që Kosova të bëhet jo vetëm një shtet i pavarur, por të integrohet plotësisht në organizatat ndërkombëtare, thonë ata për Albanian Post.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore