Lajme

Si të lexohet vizita e Stuart Peach në Prishtinë?


Stuart Peach

Vizitën e të dërguarit special të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, fillimisht në Serbi e më pastaj në Kosovë, njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare e shohin si një rigjallërim të politikës së jashtme britanike post-BREXIT.

Rëndësia e Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor dhe në veçanti për dialogun Kosovë-Serbi është strategjike, marrë parasysh investimin e saj që Kosova të bëhet jo vetëm një shtet i pavarur, por të integrohet plotësisht në organizatat ndërkombëtare, thonë ata.

Për profesorin universitar nga Warwick në Britaninë e Madhe, Andi Hoxhaj, qëllimi i vizitës së ish-ushtarakut britanik, Stuart Peach, është përshpejtimi i dialogut Kosovë-Serbi, dhe rrjedhimisht afrimi i të dy palëve drejt nënshkrimit të një marrëveshjeje të zbatueshme nga të dy palët, marrë parasysh influencën ruse në rajon dhe dëshirën e Serbisë për ta destabilizuar atë.

“Kemi kërcënime të mëdha ndaj sigurisë në Ballkanin Perëndimor nga Serbia e mbështetur nga Rusia prandaj Peach, pra Britania e Madhe dëshiron të mbështes dhe të rrisë intensitetin e dialogut drejt një zgjidhje të zbatueshme në mes të dy shteteve”, ka thënë Hoxhaj për Albanian Post.

Andi Hoxhaj

Edhe për profesorin universitar të Winchester, Seb Bytçi, synimi i Rusisë për ta minuar rendin kushtetues në Ballkanin Perëndimor ka alarmuar Britaninë e Madhe, e cila përmes ish-ushtarakut Peach, tashmë i veshur me petkun e një diplomati, po synon të krijojë një vrull të ri në dialogun Prishtinë-Beograd.

“Britania nuk ka rol të drejtpërdrejtë në dialog, mirëpo ka një rol tepër të rëndësishëm indirekt, si shtet anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit, me interes për paqe në Ballkan. Britania brengoset nga ngjarjet e fundit në Bosnje dhe Mal të Zi si dhe në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë, dhe me të drejtë, i sheh ato në kontekstin më të gjerë të sigurisë Evropiane”, ka thënë Bytyçi për AP.

Seb Bytyçi

E në anën tjetër për profesorin e marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, Ibrahim Gashi, vizita e Peach në Kosovë si emisar special i Britanisë së Madhe duhet parë si konsolidim i faktorit ndërmjetës në këtë proces.

Sipas tij niveli i përfaqësimit të tri qendrave të vendimmarrjes ndërkombëtare me emisar të tyre special flet për një synim të tyre për të dinamizuar procesin e dialogut.

“Britania e Madhe konsideroj që përmes emisarit Peach po tregon interesimin dhe gatishmërinë e saj për të ndihmuar procesin e dialogut Kosovë – Serbi. E gjithë parahistoria e angazhimit të Mbretërisë së Bashkuar flet për rolin e saj konstruktiv, madje duke theksuar se nuk ka ndonjë interes specifik në Ballkan, përveç atij të forcimit të stabilitetit dhe të paqes në rajon”, ka thënë Gashi për AP.

Ibrahim Gashi

Ndërsa Hoxhaj, ka komentuar edhe të kaluarën e Peach, i cili si i pensionuar ushtarak tashmë duhet të ofrojë zgjidhje politike si një diplomat, duke potencuar se një gjë e tillë nuk duhet të shihet si handikap.

“Peach i njeh shumë mirë çështjet kufitare që rrethojnë Ballkanin Perëndimor dhe kërcënimet e sigurisë që janë ende shumë të përhapura në rajon, e të cilat janë shumë të lidhura ngushtë me gjetjen e një zgjidhjeje politike të zbatueshme”, ka thënë Hoxhaj.

“Njohurit e tij për dinamikat në Ballkanin Perëndimor do të ofrojnë zgjidhje të duhura në takimet e ardhshme në kuadër të dialogut”.

Stuart Peach dhe Vjosa Osmani

Emisari britanik, Peach, i cili ka vizituar Serbinë dhe Kosovën menjëherë pas vizitës së top-diplomatëve euro-amerikanë, Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak, në një intervistë për BBC, ka theksuar se roli i tij si emisar është mbështetja e dialogut Kosovë-Serbi.

“Roli i Bashkimit Evropian është ta udhëheq dialogun, dhe unë (Britania e Madhe) ta mbështes atë”, ka thënë shkurt Peach.

Për Peach, suksesi në dialog do të ishte çdo zgjidhje që do të sjellë diçka të mirë për të gjithë Gadishullin Ballkanik.

Sipas Peach, njohja reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë si zgjidhje përfundimtare e ngërçit politik në mes të dy vendeve, është një çështje për tu biseduar.

Stuart Peach dhe Albin Kurti

“Kjo është diçka që ne do ta prisnim, qeveria britanike e ka njohur Kosovën. Por unë nuk dua të vendos kufij të tillë këtu në Beograd, kjo varet nga të tjerët, dhe ne do të jemi në prapavijë dhe do ta mbështesim procesin”, ka shtuar ai.

Peach pas vizitës zyrtare në Serbi, vizitoi edhe Kosovën ku takoi, Presidenten e vendit, Vjosa Osmani, Kryeministrin Albin Kurti dhe zëvendësministrin e parë Besnik Bislimi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore