Lajme

Kongresmeni amerikan: Kosova meriton përkrahje në betejën kundër Serbisë – Serbia është dorë e zgjatur e Rusisë


Ritchie Torres

Kongresmeni amerikan, Ritchie Torres, në një prononcim për RTV21, tha se Kosova është një ndër demokracitë më të fuqishme në botë teksa iu bëri thirrje shteteve anëtare të NATO-s dhe komunitetit ndërkombëtar që ta njohin Kosovën e pavarur.

“Kosova meriton njohje, meriton përkrahje në betejën kundër Serbisë e cila është një përfaqësuese ruse dhe ne duhet të mbështesim demokracinë e Kosovës”, theksoi Torres.

Ai shprehu shqetësimin se politika perëndimore në rajon “ka shkuar shumë larg me përkëdheljen e Serbisë”.

“Ne duhet domosdoshmërisht ta pranojmë së Kosova është aleate e SHBA-ve, kurse Serbia është dorë e zgjatur e Rusisë dhe ne duhet të kërkojmë vendosmërisht pranimin e Kosovës së pavarur si demokraci”, shtoi ai.

Ndryshe, kongresmeni amerikan njihet për përkrahjen e vazhdueshme ndaj Kosovës dhe një politikan që ka kërkuar personalisht edhe nga presidenti Joe Biden, që Kosova të anëtarësohet në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

“Si liderë të botës së lirë, ShBA-të duhet të mbështesin aleatët e tyre. Nuk kemi aleat më të madh në Evropën Juglindore se sa Kosovën dhe unë shqetësohem se pa anëtarësim në NATO, Kosova mund të jetë e hapur ndaj sulmeve të Serbisë dhe Rusisë”, pati shkruar ai në letrën drejtuar Biden-it.

Torres është bashkëkryesues i Grupit për Shqiptarët në Kongresin Amerikan dhe e vizitoi Kosovën në nëntor të vitit të kaluar.

“Mbaj me nder rolin e Eliot Engel, kampionit historik të komunitetit shqiptar në Kongresin e SHBA-ve. Para pak muajsh une ish në Kosovë se bashku me Harry Bajraktarin për të përcjellë mesazhin se SHBA- të qëndrojn pa mëdyshje me popullin e Kosovës”, potencoi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore