Lajme

Kongresi i thirrur nga Sela e rizgjedh atë kryetar të ASH-së, shkarkohet Taravari


Ziadin Sela

Në Kongresin e Jashtëzakonshëm të Aleancës për Shqiptarët (ASH), të mbajtur këtë të diel në Shkup, është shkarkuar kryetari Arben Taravari, derisa në krye të kësaj partie është rizgjedhur Ziadin Sela.

Ky kongres – që nuk njihet nga mbështetësit e Taravarit, dhe vetë ai – vjen një ditë pasi që krahu i tjetër i partisë së udhëhequr nga Taravari, mbajtën një tjetër kongres nga ku u ndryshua statuti i partisë, dhe u shkarkua Kryetari i Kuvendit Qendror Sela.

Mospajtimet në partinë e dytë më të madhe shqiptare në Maqedoni të Veriut, kanë lindur pas vendimit të Taravarit për t’u bashkuar me opozitën shqiptare atje – Lëvizjen Besa, Alternativën, Lëvizjen Demokratike dhe eksponentë të Lëvizjes Vetëvendosje – për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare që do të mbahen së shpejti.

Krahu tjetër, i udhëhequr nga Sela, kanë kundërshtuar këtë vendim, pasi që kanë thënë se Taravari nuk ka respektuar vendimet e organeve të partisë, të cilat kishin vendosur se ASH do të garonte e vetme në zgjedhje.

Në kongresin që mbajti krahu i Selës, është thënë se me 591 vota të delegatëve është shkarkuar Taravari, çka i ka hapur rrugë ish-kryetarit që të vijë sërish në këtë pozitë.

Mirëpo, ky kongres nuk njihet nga krahu tjetër, ai i Taravarit, i cili së fundmi ka shpallur kandidaturën për president të Maqedonisë së Veriut, derisa kanë thënë se për çfarë do paqartësi që mund të ketë dikush t’iu drejtohet gjykatës.

Të njëjtën gjë e deklaroi edhe Sela, pas kongresit të jashtëzakonshëm.

“Sipas Kongresit kryetar legjitim i ASH-së është ai që kanë vendosur sot delegatët dhe unë jam kryetari i ASH-së. Unë jam themeluesi i këtij subjekti politik së bashku me aktivistët dhe anëtarët, dhe nuk e di kush ka të drejtën morale, ndërsa në aspektin legal do të vendosin gjykatat”, u shpreh Sela.

Ekskluzive me Arben Taravarin: Partia s’është pronë e Zijadin Selës, unë dëgjova zërin e popullit – Artan Grubi është përçarësi

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore