Shqipëria

Konflikti ruso-ukrainas – Në kufi, përtej kufirit


Kufiri mund të jetë veçse pragu nga ku fillon gjithçka.

Ukraina dhe Rusia gjenden në një pikë ku zgjidhja diplomatike për mosmarrëveshjet e tyre duket e largët dhe prezenca ushtarake, po rritet.

Por dy vendet, dëmin, nuk e ndalin tek vetja. Përmasat, mund të kthehen në botërore!

Të paktën ky është paralajmërimi që bën Ambasadori i Ukrainës në Shqipëri, Volodymyr Shkurov, i cili radhit edhe disa fakte se përse çështja mund të shkojë përtej kufirit.

Volodymyr Shkurov, Ambasador i Ukrainës në Shqipëri

“Nuk duhet harruar se në Ukrainë ka 15 reaktorë bërthamorë. Dhjetëra mijëra kilometra tubacione gazi natyror gjenden aty”, do të deklaronte kreu i misionit diplomatik të Kievit në Tiranë, në një intervistë ekskluzive për Albanian Post.

Pikërisht për këtë fakt, Shkurov shpalos qëndrimin zyrtar nga Ukraina, me bindjen se konflikti, jo vetëm Kievin dhe Moskën, jo vetëm edhe Evropën, por gjithë botën do ta prekë.

Gjithsesi, kjo nuk do të thotë se lufta është e vetmja zgjidhje. Përkundrazi!

Ambasadori ravijëzoi disa herë, se diplomacia, është çelësi për të tejkaluar mosmarrëveshjet.

“Siç kam thënë edhe më parë, nëse do të arrihet me përpjekjet të përbashkëta, të kalohet ky problemi mbi tavolinën e bisedimeve, atëherë, pavarësisht sa të gjata mund të jenë, kjo do të jetë më mirë se sa një konfrontim ushtarak”.

Mirëpo këto bisedime, janë praktikisht në një ngërç thuajse tërësor.

Pozicionimi i aleatëve

Në një situatë të tillë, aleancat janë thelbësore dhe Perëndimi, i qëndron krah Ukrainës.

Këtë fakt e pohon edhe vetë Shkurov. Ai bën të qartë se partnerët nga SHBA-të, Evropa, gjithë aleanca e NATO-s, i qëndrojnë krah Ukrainës.

Gjithsesi, mbështetja nuk është e unifikuar në tërësinë e saj.

“Një Evropë e bashkuar, Bashkimi Evropian, është një grupim i madh me shumë shtete, ku secili ka parakushtet e veta historike dhe dëshirat politike”, parashtron ambasadori. “Këtë lloj ndarje” – vijon ai – “e di fare mirë edhe Federata ruse, për të zhvilluar lobimin e saj gjeopolitik”.

Sipas tij gjithsesi, zëri, edhe pse jo unik, është i bashkuar. Gjithsesi, për ta bërë edhe më të fortë, shtetet të cilat e ndjejnë më të afërt çështjen e Ukrainës, duhet ta ngrene zërin më shumë karshi shteteve që kanë qëndrim tjetër. Kështu, do të ketë edhe një pozicionim të unifikuar.

Pozicionimi shqiptar

Pozicionimi i Tiranës zyrtare – siç e shpjegon edhe Shkurov – ka qenë i zëshëm dhe i qartë krah Kievit. Madje, ai ka theksuar edhe kohën kur Shqipëria ka pasur drejtimin e OSBE-së në mandatin e saj.

Përtej pozicionimit zyrtar, ka edhe një pozicionim publik. Komuniteti shqiptar në Ukrainë, është shprehur i gatshëm të marrë pjesë në luftë, nëse është e nevojshme.

Kjo gjë nuk ka lënë pa u përmendur edhe nga ambasadori, si diçka që i ka bërë përshtypje.

“Kam folur edhe për Shqipërinë, për njerëzit që e dinë çfarë do të thotë të luftosh për pavarësinë, të cilët janë të gatshëm për të ardhur dhe për të ndihmuar”, përmend ai.

Tone falënderuese dhe mirënjohëse nga Shkurov. Por, dëshira për të mos shkuar aty.

“Mbështetja diplomatike, në këtë çastm është më se e mjaftueshme”, shpjegon ai. “Shpresoj që zgjidhja të gjendet politikisht. Jo vetëm shqiptarët, por nuk duam që asnjë ukrainas të përfshihet në luftë”.

Po nëse…?

Situata gjithsesi, mbetet e paqartë dhe vazhdimisht e ndryshueshme. Dinamikat janë të tilla, që ndryshojnë brenda ditës. Zhvillimet, po ashtu.

Pyetja, vijon të mbetet e njejtë: Po nëse Rusia mësyn Ukrainën, çfarë ndodh?

Kievi sipas Shkurov, i ka marrë të gjitha masat dhe është përgatitur. Një skenar i ngjashëm me atë të Krimesë, është pak i mundur për të.

Disa gjëra sakaq, duhet të kuptohen.

Fillimisht, fakti se Forcat e Armatosura të Ukrainës, nuk janë ato që ishin në vitin 2014 – kohë kjo kur Kievi u përball me agresionin rus ndaj Krimesë. Pra, prej asaj kohe, gjërat kanë ndryshuar shumë.

Ka një mobilizim të Ushtrisë ukrainase në kufi. Ka një mobilizim të NATO-s në rast ndërhyrje.

Prapë se prapë, mesazhi i qartë nga Kievi dhe diplomacia ukrainase në botë. Zgjidhja që ata duan, është paqësore.

Por, nëse nuk do të jetë e tillë, skenarët mbeten plotësisht të hapur…

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore