Lajme

“Konferenca ndërkombëtare” ide e papranueshme për Tahirin


Edita Tahiri

Ish-kryenegociatorja e palës kosovare në dialogun teknik me Serbinë, Edita Tahiri, ka kundërshtuar në mënyrë kategorike, ndryshimin eventual të formatit të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë nga ai i zakonshmi në një konferencë normalizimi nën kujdesin dhe trysnin e ndërkombëtareve pa të drejtë daljeje, siç propozoi kryeministri i Shqipërisë Edi Rama.

Sipas diplomates kosovare një konferencë ndërkombëtar për Veriun është ide e papranueshme dhe e rrezikshme.

Prandaj ajo ka ftuar kosovarët të përgatiten për të kundërshtuar një iniciativë të tillë ashtu njësojë siç është kanë kundërshtuar okupimin nga Serbia në vitet e 90-ta.

“Një konferencë ndërkombëtare për Veriun është ide e papranueshme dhe e rrezikshme! Populli duhet të përgatitet ta kundërshtojmë masovikisht, ashtu njësoj siç kundërshtuam okupimin nga Serbia”, ka shkruar ajo shkurtimisht në rrjetin e saj social në Facebook.

Ndryshe në margjinat e samitit të Bashkimit Evropian, shefi i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka mbështetur qartësisht idenë dhe propozimin e kryeministrit shqiptar Edi Rama për mbajtjen e një konference normalizimi.

“Dua të them se ne gjithashtu mbështesim idenë për të organizuar sa më shpejt një konferencë me disa shtete anëtare të BE-së shumë aktivë në të gjitha përpjekjet ndërmjetësuese, me koordinimin e SHBA-ve”, u shpreh Michel.

Ai shtoi se ka ardhur koha të kemi një qasje globale dhe të bëjmë hapa të qartë drejt normalizimit “të marrëdhënieve Kosovë-Serbi”.

“Kjo është shumë e rëndësishme, sepse ne kemi thënë se duam të përpiqemi maksimalisht për të bërë diçka për Ballkanin Perëndimor, së bashku me Ballkanin Perëndimor”, shtoi ai.

Kreu i Qeverisë shqiptare, ditë më parë, parashtroi një kërkesë të re dhe të qartë sa i takon dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Rama propozoi ndryshimin e formatit të procesit të dialogut nga ai i zakonshmi në një konferencë normalizimi nën kujdesin dhe trysninë e ndërkombëtarëve pa të drejtë daljeje – njëlloj Dayton-i 2.0.

Kreu i Qeverisë, Edi Rama e vuri theksin te “konferenca e normalizimit” edhe gjatë komunikimit me kryediplomatin e BE-së, Josep Borrell.

“Uroj që konferenca e nivelit të lartë mes liderëve të të dyja palëve do të tërheqë vëmendjen dhe do të sjellë nga shtetet anëtare të BE-së, nga SHBA-të dhe të mos i lejojmë të dalin pa një marrëveshje nga konferenca”, ravijëzoi sërish Rama.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore