Lajme

Komunat e dërgojnë në Kushtetuese Ligjin për Tatimin në Pronë


Sazan Ibrahimi dhe Shaqir Totaj

Asociacioni i Komunave të Kosovës, këtë të premte, e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Tatimin në Pronë.

Dorëzimin e kërkesë për vlerësimin e ligjshmërisë së këtij ligji e bënë drejtori i AKK-së, Sazan Ibrahimi dhe kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj.

Çfarë ndodhi?

Asociacioni i Komunave të Kosovës, më 23 gusht paralajmëroi dërgimin e Ligjit në fjalë në Gjykatën Kushtetuese.

Në njoftimin e publikuar nga AKK thuhej ndër të tjera se Ministria e Financave mori vendim që ta ndryshoj Ligjin mbi Tatimin në Pronën e Paluajtshme pa e konsultuar fare Komunat e Kosovës.

Sipas Asociacionit të Komunave të Kosovës me miratimin e Ligjit në fjalë Komunat e Kosovës do të humbasim me dhjetëra miliona euro.

Në anën tjetër si absurditet dhe lojë të Komunave e cilësoi Ministri i Financave, Hekuran Murati, paralajmërimin për të dërguar Ligjin për Tatimin në Pronën në Gjykatën Kushtetuese.

Sipas tij, ky Asociacioni i dominuar nga partitë opozitare, “ka një lloj hipokrizie në vetvete”.

“Është vetëm lojë e disa prej komunave në këtë rast edhe e Asociacionit, që në njërën anë pretendojnë se kanë hallin e qytetarëve dhe kërkojnë të ulet barra për qytetarin e kur Qeveria bën hap të tillë e kundërshtojnë pastaj. Duket absurde edhe dërgimi në Kushtetuese sepse Qeveria s’ka asnjë ndërhyrje në këtë aspekt. Përkundrazi, e gjithë vendimmarrja është në nivel komunal”, ka thënë Murati.

Murati në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, ka thënë se komunat kanë afat deri më 16 shtator të marrin vendim për zbritjen dhe se gjithçka është në përgjegjësinë e kuvendeve komunale.

“Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, Komunat apo kuvendet komunale e kanë të domosdoshme të marrin vendime 30 ditë pas hyrjes në fuqi, data e fundit pra 16 shtator. Pra tash u takon kuvendeve komunale që deri më 16 shtator ta miratojnë zbritjen për qytetarët e secilës komunë. Kjo po ashtu përkon me afatin e këstit të dytë, që është 30 shtator. Pra më 16 shtator secili qytetar mund ta dijë sa prej tatimit në pronë do t’u falet nga komuna e tyre. Kjo tashmë ekziston dhe ka bazë ligjore për të. Duhet të merret vendimi nga komunat”, ka deklaruar ai.

Asociacioni i Komunave të Kosovës u arsyetua se me miratimin e Ligjit në fjalë Komunat e Kosovës do të humbasim me dhjetëra miliona euro, por sipas ministrit Murati komunat s’mund të ankohen për dëmtime të buxhetit, pasi sipas tij, tashmë kanë të hyra deri në gusht, aq sa kishin tërë vitin e shkuar.

“Sa i përket asaj se a dëmtohet buxheti, po ashtu deri më 22 gusht ishin 32 milionë euro të hyra të komunave. Tërë vitin e kaluar kanë qenë 34.5 milionë euro. Në gusht, ende pa përfunduar muaji, jemi në nivelin e tërë vitit të kaluar. S’mund të flitet për dëmtim të buxhetit komunal sepse tashmë kanë mbledhur e që besoj se deri në fund të gushtit do ta kalojnë tërë vitin e kaluar. Çfarëdo falje që bëhet e këstit të dytë nuk e dëmton buxhetin e komunave, sepse vetë kanë thënë që u janë rritur të hyrat. Pasi që për disa qytetarë ka pasur rritje të vlerësimit të pronës, rrjedhimisht edhe e faturës, kanë pasur edhe komunat rritje më shumë. Pra përtej asaj që kanë pritur”, ka shpejguar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore