Lajme

Komuna e Prishtinës për rritjen e çmimit të tatimit: Autoriteti kompetent është Ministria e Financave


Komuna e Prishtinës

Pas ankesave të shumta për ngritjen e çmimeve të tatimit në pronë, Komuna e Prishtinës përmes një komunikate për media ka sqaruar se kjo rritje nuk është bërë nga ata.

Komuna procesin e rritjes së tatimit e ka sqaruar përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“Komuna e Prishtinës, nuk e ka bërë përcaktimin e shumave në faturat e qytetarëve për vitin tatimor 2023”.

Ky institucion ka thënë se ky vendim është marrë nga Ministria e Punës, Transfereve dhe Financave duke u bazuar në dispozitat e Ligjit në fuqi për Tatimin në Pronën e Paluajtshme

“Autoriteti kompetent për zbatimin e procedurës së vlerësimit është Ministria e Financave e cila përcakton zonat e vlerave, nivelet e vlerave dhe vlerën e vlerësuar të pronave të paluajtshme që janë brenda territorit të komunave”.

“Vlerësimi i pronave të paluajtshme kryhet në përputhje me rregullat dhe procedurat e parashikuara në këtë Ligj dhe në aktin nënligjor që nxjerr Ministria e Financave për kategoritë e vlerave, metodat dhe modelet e vlerësimit”.

Lidhur me rritjen e tatimeve në pronë, ka pasur reagime të shumta nga qytetarët në rrjetet sociale duke e quajtur këtë vendim si “absurd”.

“Qytetarët e Prishtinës po raportojnë 75% – 100% ngritje të tatimit në pronë. Çfarë po ndodhë Komuna e Prishtinës”, thuhet në reagimin e ‘Vrojtuesit e Lagjes’.

Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj, përmes një reagimi në rrjetin social ‘Tëitter’ ka thënë se norma e tatimit është e njëjtë, por Ministria e Financave ka bërë rivleresimin e pronave, duke i vleresuar me lartë.

“Andaj, dhe do të paguajmë me shumë. As në si Komunë nuk jemi njoftuar mirë për këtë punë”, ka thënë Zogaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore