Lajme

Komiteti rekomandon ngritjen e akuzave kriminale ndaj Trump


Komiteti i posaçëm i ngritur për ngjarjet e ndodhura në Capitol Hill më 6 janar 2021, pas një proteste të thirrur nga ish-presidenti amerikan, Donald Trump, ka rekomanduar që ndaj këtij të fundit, të ngrihen katër akuza kriminale, prej Departamentit të Drejtësisë në SHBA.

Katër akuzat lidhen me ndërhyrje me qëllim prishjen e një procedure zyrtare, konspiracion kundrejt shtetit amerikan, konspiracion duke ngritur akuza të rreme dhe nxitje të dhunës kundrejt Qeevrisë amerikane.

Rekomandimi në vetvete, nuk nënkupton faktin se këto akuza do të ngrihen a priori nga Departamenti amerikan i Drejtësisë, por lë të hapur mundësinë që ky organ t’i shqyrtojë ato.

Nga vetë Departamenti, ende nuk ka ndërkaq një koment zyrtar mbi çështjen.

Teksa, për kongresmenin demokrat nga shteti i Maryland, Jamie Raskin, vendimi është tregues i qartë se sistemi amerikan nuk ka të bëjë me njerëz që shkojnë në burg sepse nuk kanë pozitë, teksa të tjerët, që kanë mbajtur poste, lihen të lirë.

Të gjithë janë të barabartë sipas tij.

Trump vetë, është thirrur të dëshmojë në këtë proces, por ende nuk ka dhënë asnjë dëshmi lidhur me çështjen.

Dëshmitarë të tjerë të shumtë, përfshi bashkëpunëtorë të ngushtë të ish-presidentit, apo punonjës në Shtëpinë e Bardhë, përmes dëshmive të tyre, kanë rrëfyer më parë qëllimësinë e Trump për të ndaluar konstituimin e Biden si President, në procesin që e kryen Kongresi dhe Senati formalisht, pas rezultatit zgjedhor.

Trump vetë, ka mohuar çdo rrethanë të tillë, duke pretenduar se turma nuk ka qenë në asnjë çast e inkurajuar nga ai për të vepruar në të tillë mënyrë.

Por, sërish, Komiteti, në bazë të gjithë provave të administruara,besoi versionin e dëshmitarëve kundër Trump-it.

Përtej Trumpit, Komiteti ka kërkuar edhe ndëshkimin e katër kongresmenëve amerikanë nga Dhoma e Etikës në Capitol, nën motivimin se ata kanë refuzuar bashkëpunimin në punimet që Komiteti ka kryer.

Më i njohuri prej tyre, është përfaqësuesi i California-s, lideri republikan i Kongresit, Kevin McCarthy. Me shumë mundësi, ai do të bëhet edhe kryekongresmeni i ri amerikan në Janar, pasi këta të fundit morën shumicën e dhomës së ulët të përfaqësimit dhe demokratja Nancy Pelosi deklaroi se nuk do ta kërkojë më postin.

Kongresmenët e tjerë të referuar, do të jenë Jim Jordan, Andy Biggs dhe Scorr Perry.

Trump, në nëntor, pas një disfate republikane në zgjedhjet e mesmandatit, përkundër nga sa pritej një fitore e thellë e tyre, shpalli zyrtarisht faktin se do të merrte pjesë në garën e primareve republikane për të qenë kandidat presidencial.

Kjo lëvizje u kritikua tej mase edhe brenda republikanëve vetë, me të shumtë që e duan krejtësisht jashtë partisë Trumpin dhe e akuzojnë atë drejtpërdrejt për rezultatet jo të mira që ata kanë arritur në zgjedhjet e fundit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore