Lajme

Komisioni për siguri përzgjedhë kandidatët për pozitën e Komisionerit për Informim dhe Privatësi, pa pëlqimin e opozitës


Komisioni për siguri

Komisioni për Siguri, gjatë ditës së mërkurë ka votuar kandidatët potencial për pozitën e Komisionerit për Informim dhe Privatësi.

Enver Bujari, Krenare Sogojeva Dermaku dhe Edon Miftari janë tre kandidatët e zgjedhur nga paneli intervistues që do të dërgohen në seancën plenarë të Kuvendit të Kosovës për votim.

Sipas udhëheqësit të këtij komisioni Enver Dugolli, njëherësh anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, përzgjedhja e kandidatëve ishte konform kushteve ligjore.

“Vlerësimi për kandidatët ka qenë i hapur në aspektin e notimit, se çka do të vendos seanca plenare mbetet të shihet, të tre janë në garë për të u zgjedhur” ka thënë ai.

Ndërkohë, në mbledhjen e komisionit për ta zgjedhur komisionerin për informim dhe privatësi ka pasur tensione, ku përfaqësuesit e partive opozitare në shenjë proteste e kanë lëshuar komisionin në fjalë.

Sipas përfaqësuesit të Partisë Demokratike të Kosovës Elmi Reçica, procesi i përzgjedhjes së kandidatëve duhet të kthehet në pikën e nisjes.

“Nuk jemi të interesuar që të jemi në një takim të tillë dhe ta dëgjojmë raportin e grupit që ka intervistuar anëtarët për komisioner për agjencinë e informimit dhe privatësisë prandaj e vetmja zgjidhje është që procesi të kthehet në pikën e nisjes kemi vlerësime edhe të shoqërisë civile, një institucion kaq i rëndësishëm që do ti ketë të gjitha të dhënat tona të filloj me një paqartësi me një devijim të tillë duke shfrytëzuar arrogancën e votës nuk është në rregull”, ka shtuar ai.

Pas përfundimit të fjalës ai së bashku me Abelard Tahirin e kanë lëshuar mbledhjen.

Kundër zgjedhjes së komisionerit, ishte edhe Anton Quni anëtari i komisionit nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, sipas të cilit procesi në fjalë duhet të kthehet në pikën zero.

“Nuk e kam detyrim të qëndroj në vazhdimin e këtij procesi, është mirë të rikthehemi marrëveshjeve paraprake të rishpallim konkursin dhe këtë proces ta trajtojmë në mënyrën më të duhur” ka thënë Quni duke e lëshuar komisionin.

Në ndërkohë, Bekë Berisha nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka thënë se është prishur praktika e komisionit nga anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje, pasi sipas tij “të gjitha partitë politike marrin pjesë në panel me nga një përfaqësues, kështu është bërë gjithherë, ju e keni prishur këtë praktikë”.

Edhe Berisha në shenjë proteste është larguar nga mbledhja, duke thënë se pozita e ka kapur shtetin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore