Shqipëria

Komisioni i Rithemelimit: PD jo bunker i pengut, por shtëpi e demokratëve


“Sot skadoi afati i caktuar me tolerancë dhe civilitet nga Komisioni i Rithemelimit të Partisë Demokratike, për lirimin e zyrës së kryetarit të PD-së nga ana e Lulzim Bravës, pas shkarkimit të tij. Në vend të respektimit të këtij afati, deputeti Lulzim Basha, peng mjeran i Edi Ramës për aferat e tij, reagoi në mënyrën më të turpshme e kriminale”.

Kështu ka deklaruar Komisioni i ashtuquajtur i Rithemelimit në Partinë Demokratike, të mërkurën e 5 janarit.

Sipas tyre, kryetari i partisë, Lulzim Basha ka shfrytëzuar ditët e afatit tolerant, “jo për të mbledhur rraqet e veta por për të blinduar dyer, hyrje e dritare të Selisë së demokratëve shqiptarë, sikur ta kishte pronë private, njëlloj dhe me të njëjtin projekt si pengmarrësi i tij, ndërtesën e Kryeministrisë”.

“Shndërrimi i selisë së Partisë Demokratike në një bunker privat të një pengu, skllav i aferave të tij, i cili nuk pranon votën e 4 mijë e 446 delegateve të Kuvendit Kombëtar, që nuk njeh votën e 44 mijë anëtarëve të Partisë Demokratike dhe që u thotë shqiptarëve se 1 mijë e 958 vetë, në sallën e Pallatit të Kongreseve, janë 5 mijë e 4 delegatë në anti-kuvendin e tij, është akt i hapur pushtues dhe armiqësor ndaj tyre”.

Në deklaratë thuhet gjithashtu se, “Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit të Partisë Demokratike dënon me ashpërsinë më të madhe këto qëndrime armiqësore ndaj demokracisë, këto përpjekje kriminale të klikës së narkoshtetit Rama-Basha për të mbajtur peng Partinë Demokratike, opozitën dhe pluralizmin politik në Shqipëri”.

Më 8 janar është caktuar data për zhvillimin e një proteste e thirrur nga ish-kryetari i PD-së, Sali Berisha dhe mbështetësit e tij në selinë blu.

“Lër karrigen, ose anëtarësia do të bëhet përmbaruese e vendimeve të Kuvendit të 11 dhjetorit për shkarkimin e Bashës”, ka thënë Berisha.

Ultimatumi i 5 janarit

Ultimatumi përpara mbylljes së vitit, ishte i qartë.

“Më 5 janar, Basha duhet të ketë lënë zyrën, ose anëtarësia e PD-së, do të kthehet në përmbaruese të vendimeve të Kuvendit të 11 dhjetorit”.

Me kaq, Komisioni i Rithemelimit i formuar nga Berisha, bëri paralajmërimin ndaj Bashës.

Vetë Basha, sapo mori vesh “kërcënimin” ndaj tij, doli në një konferencë për shtyp mbi çështjen.

Në një qasje shumë të qetë të tijën ndaj Berishës, Basha u artikulua qartësisht: Asgjë nuk ndodh më 5 janar.

Logo e re- vulë e re 

Më 15 dhjetor, kryetari i Komisionit të ashtuquajtur të Rithemelimit në PD, Belind Këlliçi, i “zhbëri” vendimet e Lulzim Bashës, duke argumentuar se Kuvendi i 11 dhjetorit – i njohur si Kuvendi i Berishës – nëpërmjet një rifreskimit të logos dhe vulës së demokratëve, ka bërë të mundur zhvlerësimin e vendimeve të Bashës.

As një muaj më vonë, Basha bëri një lëvizje në seli. Ai vendosi në dyer e xhama, logon historike të Partisë Demokratike.

E, në fakt ky vendim, erdhi në ditën e tretë të vitit të ri dhe vetëm dy ditë përpara ultimatumit që Berisha i ka vendosur kryedemokratit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore