Lajme

Komisioni i PE-së voton pro raportit për heqjen e vizave për poseduesit e pasaportave serbe në Kosovë


Ilustrim

Zyra e Raportuesit të Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave për poseduesit e pasaportave ilegale serbe në Kosovë, Matjazh Nemec, njoftoi se Komisioni i PE-së për liritë civile, drejtësi dhe punët e brendshme, miratoi raportin për heqjen e regjimit të vizave për serbët e Kosovës që posedojnë pasaporta të lëshuara nga Ministria e Brendshme e Serbisë.

Nga Zyra e Nemecit njoftuan se raporti për liberalizimin e viziave për poseduesit e pasaportave serbe u votua me 34 vota pro, shtatë kundër dhe 12 abstenime, ndërsa do të hidhet në votim në seancën plenare të Parlamentit Evropian që zhvillohet midis 22 dhe 25 prillit në Strasburg të Francës.

Kjo do të jetë seanca e fundit e përbërjes aktuale të Parlamentit Evropian sepse midis 6 dhe 9 qershorit do të mbahet cikli i ri zgjedhor për ulëset e legjislativit të bllokut në 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Dhe në këtë seancë pritet të konfirmohet mbështetja për heqjen e vizave për poseduesit e pasaportave të Serbisë me vendbanim në Kosovë.

Qytetarët e Kosovës nga 1 janari 2024 mund të lëvizin pa viza nëpër vendet e Bashkimit Evropian, por lëvizja e lirë pa viza nuk vlen edhe për poseduesit e pasaportave ilegale serbe. Në pasaportat e lëshuara nga Serbia për serbët që jetojnë në pjesën veriore të territorit kosovar, vendbanimet e Kosovës figurojnë si vendbanime në territorin e Serbisë.

Përkundër se Komisioni Evropian në nëntor të vitit të kaluar propozoi përfshirjen e pasaportave të Zyrës Koordinuese të Ministrisë së Brendshme të Serbisë në liberalizimin e vizave për Kosovën, një propozim i tillë nuk është aprovuar ende nga Këshilli i Bashkimit Evropian, për të cilën kërkohet konfirmimi paraprak në Parlamentin Evropian.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore