Shqipëria

Komisioni i Ligjeve në Shqipëri miraton projektligjin për buxhetin 2022


Me 13 vota pro dhe katër kundër, Komisioni i Ligjeve në Shqipëri ka miratuar në parim projektligjin për buxhetin e vitit 2022.

Të mërkurën e 3 nëntorit, përballë anëtarëve të Komisionit, ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Delina Ibrahimaj, prezantoi të gjithë projektin.

Po në këtë mbledhje, ajo bëri me dije se në kuadër të këtij buxheti do të alokohen 1 miliard lekë për ish të përndjekurit politikë.

Më 26 tetor, Qeveria e Shqipërisë depozitoi në Kuvend projektligjin për “Buxhetin e Shtetit” për vitin e ardhshëm.

Qeveria ka parashikuar të shpenzojë rreth 637 miliardë lekë dhe të ardhurat priten të shkojnë në 536 miliardë lekë.

Në këtë mënyrë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka planifikuar që deficiti të arrijë në 101 miliardë lekësh.

“Shpenzimet e personelit për vitin 2022 reflektojnë koston aktuale të Administratës Publike, si dhe politikën e re të rritjes së pagave kryesisht për sektorët e shëndetësisë, arsimit dhe mbrojtjes”, shkruhet në njoftim.

Gjithashtu aty theksohet se fondi vjetor për rritjen e pagave është planifikuar në shumën 2.4 miliardë lekë dhe parashikon rritjen e pagës për funksion me 6% për punonjësit shëndetësorë dhe ata arsimorë.

Shpenzimet totale për pagat në Administratën Publike janë planifikuar në masën 90.6 miliardë lekë, ose 4.9% e PBB-së.

Shpenzimet për subvencione janë parashikuar në masën 1.55 miliardë lekë, duke u rritur krahasuar me një vit më parë.

Këto shpenzime shkojnë për mbështetjen e sektorit të ujësjellës-kanalizimeve, bazuar në performancën e tij, si dhe për të mbuluar një pjesë të shpenzimeve të veprimtarisë hekurudhore dhe veprimtarisë së shërbimeve qeveritare.

Niveli i fondit rezervë për vitin 2022 planifikohet në masën 3.4 miliardë lekë, përkatësisht 2.4 miliardë lekë Fond Rezervë i Këshillit të Ministrave, 500 milionë lekë fond kontigjencë për projektet me BE-në, si dhe 500 milionë lekë kontingjencë për projekte specifike për fëmijët.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore