Shqipëria

“1 miliard lekë për ish të përndjekurit politikë”


Ministrja e Ekonomisë dhe Financave në Shqipëri, Delina Ibrahimaj, ka bërë me dije se për ish të përndjekurit politikë është parashikuar fondi prej 1 miliard lekësh.

“Të gjithë ata ish të përndjekur që jetojnë, janë kompensuar. Pjesa tjetër e mbetur shkon për familjarët”, tha ministrja Ibrahimaj të mërkurën e 3 nëntorit nga Komisioni i Ligjeve.

Deklarata e saj erdhi pas prezantimit të projekt-buxhetit për vitin 2022. Ajo shtoi se fondet kanë hasur diferenca, pasi “gjatë dy viteve të fundit buxheti i shtetit ka qenë shumë i presuar nga pandemia dhe tërmeti”.

Gjatë regjimit komunist në Shqipëri u krijuan disa gjykata speciale për të gjykuar bashkëpunëtorët e pushtuesit dhe pjesëmarrësit në organizatat “reaksionare”. Njëkohësisht, për të shtypur dhunshëm të gjitha grupimet kundërshtare.

Kushdo që kundërshtonte regjimin internohej dhe persekutohej me vendime penale të formës së prerë të gjykatave të zakonshme, gjykatave speciale apo të urdhrave të organeve të hetuesisë nga sistemi.

Pas kalimit, nga sistemi komunist në atë demokratik, në Shqipëri ndryshuan shumë gjëra.

Në bazë të Ligjit Nr. 9831, datë 12 nëntor 2007, u përcaktua se të gjithë të dënuarit që kishin vuajtur persekutimin e drejtpërdrejtë në regjimin komunist, nëpërmjet kryerjes së dënimeve penale të padrejta, si burgim apo masa mjekësore të detyrueshme do të dëmshpërbleheshin nga shteti.

Objekt i këtij ligji është edhe dëmshpërblimi i familjarëve të viktimave, të ekzekutuara apo të pushkatuara padrejtësisht për motive politike.

Si dhe dëmshpërblimi financiar për personat e internuar ose të dëbuar, me kusht që humbja e jetës apo periudha e vuajtjes së internimit ose dëbimit të vërtetohen me dokument, të krijuar si burim arkivor para datës 1 tetor të vitit 1991.

Ndërsa dëmshpërblimi i viktimave, të vrara ose të ekzekutuara gjatë periudhës 30 nëntor 1944 deri më 1 tetor 1991, jepet vetëm për familjarët e përcaktuar sipas këtij ligji.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore