Lajme

Komisioni Evropian zgjeroi përkufizimin dhe sanksionet për korrupsionin


Komisioni Evropian propozoi rregulla të reja për luftën kundër korrupsionit në BE dhe jashtë tij, si dhe zgjeroi përkufizimin dhe sanksionet për korrupsionin.

Komisioni kërkon të përfshijë përvetësimin, shitjen e ndikimit, shpërdorimin e pozitës, pengimin e drejtësisë dhe pasurimin e paligjshëm në akte korruptive.

Standardizimi i përkufizimeve ligjore dhe sanksioneve do të ndihmonte hetimet ndërkufitare, tha Komisioni.

Sipas propozimit, për të cilin fjalën e fundit e kanë Këshilli i BE-së dhe Parlamenti Evropian, shtetasit e huaj do të ndëshkohen me sanksione për korrupsion.

Personave, pavarësisht nga shtetësia, që janë në listën e të sanksionuarve për vepra të rënda korrupsioni, do t’u ngrihet pasuria në BE dhe do t’u ndalohet hyrja në territorin e Unionit.

“Korrupsioni është si kanceri dhe si me trajtimin e kësaj sëmundjeje, ne duhet të përmirësojmë parandalimin. Duhet të kemi gjithashtu instrumente të forta të shtypjes dhe ndëshkimit të korrupsionit – jo vetëm në nivel kombëtar, por edhe në nivel evropian”, tha Vera Jourova, Nënkryetare e Komisionit për Transparencë dhe Vlera.

Sipas Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrell, korrupsioni është një fenomen global, transnacional, që vlerësohet të kushtojë të paktën pesë për qind të PBB-së globalisht.

“Prandaj, paralelisht me iniciativat e Komisionit për të forcuar luftën kundër korrupsionit brenda BE-së, unë propozoj vendosjen e një regjimi të ri sanksionesh nën Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë që synon akte serioze korrupsioni në mbarë botën, për të plotësuar mjetin tonë të jashtëm kundër korrupsionit”, tha Borrell.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore