Shqipëria

Komisionerja evropiane viziton Shqipërinë në fillim të nëntorit


Komisionerja për punët e brendshme dhe migracionin në BE, Ylva Johansson pritet të vizitojë Shqipërinë në fillim të muajit nëntor.

Lajmi u bë i ditur nga vetë zyrtarja evropiane, duke cituar statusin e saj në median sociale Twitter.

Sipas njoftimit, ajo do të udhëtojë drejt Tiranës për t’u takuar me ministrat e brendshëm të Ballkanit Perëndimor.

Më herët, Johansson u takua edhe me kryeministrin shqiptar Edi Rama, takimin me të cilin e cilësoi si “jashtëzakonisht interesant”.

“Gjithmonë jashtëzakonisht interesante për të diskutuar çështje me Edi Ramën. Perspektiva e tij, si kryeministër i Shqipërisë, për situatën në Ballkanin Perëndimor plus rolin që Shqipëria mund të luajë, është shumë e vlefshme”, shkruan përfaqësuesja evropiane.

Herën e fundit që komisionerja ka vizituar Shqipërinë ishte 20 shkurt i vitit 2021.

Asokohe, komisionerja e BE-së Ylva Johansson vizitoi objektet e Pikave të Kalimit Kufitar Kakavijë/Gjirokastër.

Ajo u takua me Ministrinë e Brendshme, Frontex, IOM Albania, UNCHR Shqipëri dhe aktorë të tjerë të ndryshëm që kanë një operacion të përbashkët në menaxhimin e migracionit.

Vizita e Johansson në vendkalimin kufitar në Kakavijë do të zhvillohej në kuadër të projektit “Adresimi i Sfidave COVID-19 në kuadër të Reagimit ndaj Migrantëve dhe Refugjatëve në Ballkanin Perëndimor”.

Ndër të tjera, Johansson siguroi mbështetjen e BE-së për të garantuar menaxhimin e ndjeshëm ndaj mbrojtjes të lëvizjeve të përziera të refugjatëve, migrantëve dhe azilkërkuesve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore