Film

Komediani Chappelle kërkon t’u japë fund kritikave mbi filmin “The Closer”


Komediani amerikan, Dave Chappelle, ka shkaktuar një debat shumë të fortë në publik mes tij dhe komunitetit të transgjinorëve, pas publikimit të filmit “The Closer”, ku ai shprehet se “gjinia është një fakt” dhe se “njerëzit LGBT janë shumë të ndjeshëm”.

Nga komuniteti LGBT janë shprehur se “ky film duhet të anulohet dhe të mos transmetohet më”.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i artistit Chappelle, i cili në një postim në median sociale Instagram nëpërmjet një videoje – mes kritikave që shfaqja e tij komike “është transfobike” – sqaroi se “jam i gatshëm t’i takoj anëtarët e komunitetit transgjinor”.

Pas publikimit të komedisë “The Closer”, javën e kaluar, jashtë selisë së Netflix në Los Angeles, pati një protestë nga anëtarë të LGBT-së.

Në video ai ka përgënjeshtruar ato që thonë mediat se ka refuzuar përballjen me transgjinorët, disa punonjës të Netflix-it.

“Kjo nuk është e vërtetë! Nëse do të më kishin ftuar, do ta kisha pranuar. Edhe pse jam i hutuar tani që po flasim”.

48-vjeçari mohoi gjithashtu se ishte në konflikt me komunitetin LGBT+, duke ravijëzuar se “kjo nuk ka të bëjë fare me ta. Ka të bëjë me interesat e korporatave”.

Gjithashtu, ai u bëri thirrje njerëzve ta shohin filmin e tij të ri dhe të vendosin nëse duhet të “anulohet apo jo?”

“Sot, asnjë kompani filmash, as një kinostudio, as një festival filmi nuk do ta prekë këtë film”, përmbylli ai.

Javën e kaluar, Netflix raportoi një numër rekord prej 213 milionë të abonentëve në mbarë botën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore