Lajme

Kolumbi: Vritet në Venezuela komandanti rebel i FARC-it


Forcat e Armatosura Revolucionare të Kolumbisë, FARC, në kampin e tyre në La Carmelita pranë Puerto Asis në shtetin jugperëndimor të Putumayo të Kolumbisë, e mërkurë, 1 mars 2017.

Një ish-udhëheqës disident i rebelëve të FARC-it (Forcat e Armatosura Revolucionare) të Kolumbisë është vrarë në një pritë në Venezuelë. Lajmi është raportuar nga mediat lokale të dielën.

Hernán Darío Velásquez, me nofkën El Paisa, thuhet se u qëllua për vdekje në shtetin Apure të Venezuela-s.

Vdekja e tij nuk është konfirmuar zyrtarisht dhe ushtria kolumbiane tha se nuk ishte njoftuar për vrasjen.

Mediat lokale kanë spekuluar se mercenarët mund të kenë vrarë Velásquez-in, duke kërkuar shpërblime për kapjen e tij.

Hernán Darío Velasquez (i treti nga e majta) me drejtuesit disidentë të “Segunda Marquetalia” duke njoftuar formimin e grupit në 2019

Autoritetet kolumbiane i thanë gazetës “El Tiempo” se nuk do ta konfirmonin vdekjen e tij derisa zyrtarët të shohin trupin e tij. Një zëdhënës i presidentit kolumbian Iván Duque i tha agjencisë së lajmeve ndërkombëtare “Reuters” se zyra e tij po kërkonte më shumë informacion.

Rebelët e FARC-it ishin një grup marksist që zhvilluan një luftë të ashpër kundër qeverisë kolumbiane për më shumë se 50 vjet, përpara se të shpallte përfundimisht një armëpushim në 2016-ën.

Një komandant i një prej njësive më të frikshme të FARC-it, Velásquez-i u bë i famshëm për ashpërsinë e sulmeve të tij. Ai fshihej pas një sulmi me makinë bombë në kryeqytetin kolumbian, Bogota, që vrau 36 njerëz dhe plagosi gati 200 të tjerë në vitin 2003.

Luciano Marin, i njohur gjithashtu si Ivan Marquez, një ish-udhëheqës i Forcave të Armatosura Revolucionare të Kolumbisë, FARC, flet për mediat gjatë një konference për shtyp në Bogota, Kolumbi.

Reputacioni i tij ishte i tillë që kur ai iu bashkua bisedimeve të procesit të paqes në Havana në vitin 2016, shumë e panë atë si një shenjë se guerilët ishin vërtet të përkushtuar për të hedhur armët.

Por në vitin 2018 ai e theu armëpushimin dhe u rishfaq një vit më vonë së bashku me ish-udhëheqësit e FARC-it, Iván Márquez dhe Jesús Santrich, për të njoftuar formimin e një grupi të ri rebel të quajtur “Segunda Marquetalia” dhe deklaroi se po merrte armët edhe një herë.

Nëse konfirmohet vdekja e tij, kjo do të jetë humbja e dytë e madhe për grupin këtë vit. Santrich – dikur një figurë kyçe në procesin e paqes – u vra në një shkëmbim zjarri në Venezuelë në maj nga ata që grupi disident pretendonte se ishin komando të ushtrisë kolumbiane.

Ish-rebeli i FARC-ut Jesus Santrich në një seancë të Dhomës së Përfaqësuesve në kongresin kolumbian në Bogota, Kolumbi, të mërkurën, 12 qershor 2019.

Rreth 13 mijë guerrilas të FARC-it kanë dorëzuar armët që nga armëpushimi i vitit 2016 dhe grupi që atëherë është shndërruar në një parti të vogël politike, duke mbajtur dhjetë vende në kongresin e Kolumbisë.

Megjithatë, dhuna vazhdon në disa rajone të Kolumbisë, ku rreth 5 mijë disidentë vazhdojnë të luftojnë kundër forcave qeveritare.

Qeveria kolumbiane ka akuzuar vazhdimisht liderët venezuelianë se strehojnë disidentë të FARC-it dhe ka pohuar se një sulm ndaj një helikopteri që mbante Presidentin Duque në qershor ishte planifikuar nga shteti fqinj.

Ish-sekretari i Shtetit të SHBA-ve, John Kerry, djathtas, me ish-presidentin kolumbian Juan Manuel Santos gjatë takimit të Iniciativës Globale të Çminimit për Kolumbinë 18 shtator 2016, në New York.

Nga ana tjetër autoritetet në SHBA do të heqin nga lista terroriste ndërkombëtare FARC-in – pesë vjet pasi grupi rebel i çmobilizuar nënshkroi një marrëveshje paqeje me qeverinë kolumbiane dhe formoi një parti politike.

Sipas analistëve pritet që të forcohet procesi i vështirë i paqes, i cili është zbatuar pa ndërprerje ndërsa dhuna nga grupet rebele disidente dhe trafikantët e drogës vazhdon të shqetësojë kombin e Amerikës së Jugut.

Një gjykatë kolumbiane që heton krimet e luftës më 10 gusht ka deklaruar se FARC-i rekrutoi të paktën 18 mijë e 600 fëmijë në radhët e saj midis 1996-ës dhe 2016-ës – vite kur bëri paqe me qeverinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore