Lajme

Të shtëna me armë në Kolumbi, humb jetën një 15-vjeçare dhe katër të tjerë


Flamuri kombëtar i Kolumbisë mbi Sheshin Bolivar, në Bogota, Kolumbi, e mërkurë, 22 shtator 2021.

Pesë persona, përfshirë një adoleshente, u qëlluan për vdekje në jug-perëndim të Kolumbisë të dielën e 26 shtatorit – në sulmet e fundit të një serie të grupeve të armatosura. Ndërsa gjashtë persona të tjerë u plagosën.

Një komandant ushtarak fajësoi një grup rebelësh për sulmin.

Qeveria atje ka nënshkruar një marrëveshje paqeje me Forcat e Armatosura Revolucionare të krahut të majtë të Kolumbisë (Farc) pesë vjet më parë.

Por disa anëtarë të Farc-it – të cilët nuk ishin dakord me marrëveshjen – u shkëputën dhe kanë vazhduar të jenë aktivë në botën kriminale.

Zyrtarët e ushtrisë thanë se njerëz të armatosur kishin hapur zjarr ndaj “një vendi publik”, në një zonë rurale jashtë qytetit të Tumaco-s. Mediat lokale e përshkruan vendin si një diskotekë.

Dy persona u vranë në vendngjarje dhe tre të tjerë vdiqën më vonë në spital. Mediat lokale raportuan se mes të vrarëve ishte dhe një vajzë 15-vjeçare.

Gjeneral-major Alvaro Vicente Pérez i ushtrisë kolumbiane tha se faji ishte i një grup ish-rebelësh disidentë të Farc-it që e quanin veten Kolona “Uriel Rendón”.

Në korrik, rebelët disidentë të Farc-it morën përgjegjësinë për një sulm mbi një helicopter, ku ishte presidenti Iván Duque dhe shpërthimin e një bombe në makinë jashtë një baze ushtarake në qytetin verior të Cúcuta-s, në të cilin u plagosën 36 persona.

Këmbësorët ecin nëpër Sheshin Bolivar pranë Kapitolit Kombëtar, në Bogota, Kolumbi, e mërkurë, 22 shtator 2021 (foto ilustruese)

Instituti Kolumbian për studimin e zhvillimit dhe paqes, “Indepaz”, mban një raport të atyre që i quan “masakra”, sulme që rezultojnë me vdekje të shumta.

Ai thotë se, në mbarë vendin, ka pasur 72 “masakra” të tilla midis 1 janarit dhe 21 shtatorit të këtij viti, me një total prej 258 personash të vrarë.

Provinca Nariño, ku ndodhi sulmi i fundit, është një nga më të goditurat me një rritje të sulmeve vdekjeprurëse.

Zona është një nga rajonet kryesore të prodhimit të kokainës në Kolumbi.

Atje luftohet nga një numër i grupeve të armatosura, të cilat duan të kontrollojnë tregtinë e kokainës – prodhimi ilegal i përdorur si bazë për të bërë kokainë.

Shumë nga rebelët e Farc-it që nuk nënshkruan marrëveshjen e paqes të vitit 2016 dhe nuk pranuan të lëshonin armët, u janë bashkuar grupeve të trafikut të drogës dhe aktiviteteve të tjera kriminale.

Major Pérez tha se rivaliteti midis Kolonës “Uriel Rendón” dhe bandave të tjera të armatosura duket se ka shkaktuar të shtënat vdekjeprurëse të fundit.

Guvernatori i provincës Nariño tha se trajtimi i sulmeve të tilla ishte “përtej aftësive” të autoriteteve rajonale. Prandaj i ka bërë thirrje policisë dhe ushtrisë për ndihmë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore