Shqipëria

Kolegji Zgjedhor hedh poshtë kërkesën e PD-së për prova shtesë në Vlorë


Të martën e 1 qershorit, Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar kërkesën e Partisë Demokratike (PD) për prova shtesë sa u takon zgjedhjeve të 25 prillit në Qarkun e Vlorës.

Një ditë më parë ka reaguar edhe përfaqësuesi i PD-së në Kolegjin Zgjedhor, Ivi Kaso, për rrëzimin e kërkesës për marrjen e provave shtesë nga institucionet lidhur me zgjedhjet parlamentare.

Sipas tij, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Kolegji Zgjedhor refuzuan të jepnin një vendim objektiv dhe transparent.

“Nuk do të heqim dorë nga transparenca, nga ky proces elektoral, që ka qenë i ndikuar nga interesat e mazhorancës që nuk lejonte shqiptarët të jetonin të lirë. Beteja për transparencë është shumëpalëshe, kemi zhvilluar plan administrativ, në KAS dhe KQZ”.

Gjithashtu, Kaso theksoi se kjo do të bëhet në rrugë penale, duke e zhvilluar në rrafshe të tjera kushtetuese.

Vendimi i Kolegjit

Kolegji Zgjedhor rrëzoi kërkesën e Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim për marrjen e provave shtesë nga institucionet lidhur me zgjedhjet e 25 prillit në Qarkun e Gjirokastrës.

Paraqitja e padisë

Ditën e djeshme, përfaqësuesi i PD-së, Ivi Kaso, ka qenë prezent në seancën e parë në Kolegjin Zgjedhor për të paraqitur padinë për Qarkun e Gjirokastrës.

PD-ja ka kërkuar shpalljen e zgjedhjeve si të pavlefshme në këtë qark.

Sakaq, Partia Demokratike vijon me ankimimet në Kolegjin Zgjedhor për nëntë qarqe. Ajo po kërkon prova shtesë nga institucionet dhe shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve në këto zona zgjedhore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore