Shqipëria

Koka dhe Bllako dëshmojnë para GJKKO-s për aferën e inceneratorëve


Dy ish zyrtarët, Lefter Koka dhe Alqi Bllako kanë dëshmuar të enjten e 6 korrikut para Gjykatës së Posaçme (GJKKO) për aferën e inceneratorëve në të cilën akuzohen për shpërdorim detyre dhe korrupsion.

Ish-deputeti socialist ka mohuar akuzat që rëndojnë ndaj tij duke deklaruar se është i pafajshëm.

“Në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë nuk kam pasur rol në zgjedhjen e anëtareve të komisionit të vlerësimit të ofertave. Kam pasur rolin e zyrtarit që kryente vetëm shkresa përcjellëse mes institucioneve”, u shpreh Alqi Bllako.

Ish-ministri i mjedisit u shpreh nga ana tjetër se procesi dhe gjyqi ndaj tij është i manipuluar.

Lefter Koka nënvizoi se e vërteta dhe pafajësia e tij do të triumfojë.

“Një e vërtetë e thënë përgjysmë është e pavërtetë. Prokuroria u bazua tek kallëzimi i LSI-së dhe për dy vite nuk më mori në pyetje asnjëherë. Unë si ministër, sekretari i përgjithshëm dhe komisioni kemi zbatuar me përpikëri ligjin. Bëmë punën më të mirë dhe shërbyem me devotshmëri. Eshtë kohë e vështirë që kërkon burra e burrni, unë si kam borxh askujt ta paguaj me lirinë time”, theksoi Koka.

Sipas ish-zyrtarit, akuza e prokurorisë është “idiote”, pasi ka hyrë “në politikë si biznesmen” dhe “nuk e bëri politika biznesmen”.

“Intriga e këtij procesi dashakeqës do të dalë dhe uroj të shërbejë për konsolidimin e mëtejshëm të reformës në drejtësi. Prokurori fshehu 40 fashikuj hetimor ku gjenden provat për pafajësinë time. Më janë vënë në dispozicion nga gjykata 1 javë më parë. Akuza pësoi mutacione për t’i qëndruar besnike kallëzimit të LSI-së. Kurrë nuk i kam futur dorën në xhep dikujt”, garantoi ish-ministri.

SPAK

Prokuroria e Posaçme (SPAK) shpalli më 18 maj pretencën për ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka, duke kërkuar 10 vite burg, e cila me gjykim të shkurtuar përkthehet në 6 vite e 8 muaj burg për ish-zyrtarin.

Sipas SPAK-ut, Koka në cilësinë e ish-ministrit ka përfituar 3.7 milionë euro ryshfet nga administratorët e kompanisë “Albtek Energy”.

Sakaq, Struktura e Posaçme kërkon edhe katër vite burg për ish-deputetin socialist Alqi Bllako, e cila me gjykim të shkurtuar përkthehet në 2 vite e 8 muaj burg.

Prokuroria e Posaçme ka kërkuar 10 vite burg edhe për biznesmenët Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri me 10 vite burg, ndërsa ndaj Stela Gugalljas struktura kërkon 7 vite burg.

Kujtojmë që Policia e Shtetit i ka shpallur të tre këta persona në kërkim ndërkombëtar.

Gjashtë muaj më parë SPAK akuzoi zyrtarisht Mirel Mërtirin.

Në aktakuzën e shpallur shkruhej se shtetasit Mirel Mërtiri, Stela Gugallja dhe Klodian Zoto, kanë “konsumuar veprat penale të korrupsionit aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë” kryer në bashkëpunim dhe “pastrim i produkteve të veprës penale e kryer në rrethana cilësuese në bashkëpunim”.

Mërtiri pritej të shpallet në kërkim, ashtu sikurse më herët u shpall partnerja e tij Stela Gugallja dhe biznesmeni tjetër Klodian Zoto.

Gugallja pritet të ekstradohet nga Austria, pasi sipas SPAK-ut, Stela Gugallja dhe Klodian Zoto, si pronarë të dy kompanive, “Albtek Energy” sh.p.k dhe shoqëria “Integrated Technology Services” kanë përdorur një skemë fiktive të kryerjes së pagesave, të realizuar nëpërmjet dy shoqërive tregtare respektive.

Të dy biznesmenët përfshiheshin në pikën e tretë dhe të fundit të aktakuzës ndaj ish-ministrit të arrestuar, Lefter Koka.

Ky i fundit ishte lidhur me dy kompanitë e biznesmenëve, që ishin pjesë e tenderimit.

Ndërtimi i situatës

Koka ishte i pari që u arrestua me urdhër të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) më 14 dhjetor të vitit 2021, për korrupsion dhe shpërdorim detyre për aferën e Inceneratorit të Elbasanit.

Ishte po GJKKO-ja, e cila më 16 dhjetor vendosi masën e sigurisë “arrest me burg’”.

Në dëshminë e tij, gjatë seancës, ish-ministri theksoi se “nuk e kam shkelur ligjin”.

Arrestimi ka ardhur, pasi u kallëzua penalisht nga Lëvizja Socialiste për Integrim për çështjen e inceneratorëve.

Akuza e LSI-së lidhej me pretendimet për shkelje në ndërtimin e inceneratorit të Fierit.

Gjashtë ishin arsyet e aktit të ndërmarrë nga LSI-ja.

E para lidhet me emërtimin e procedurës.

Sipas kryetares së kësaj partie, Monika Kryemadhi, ajo është publikuar si “Tender Kombëtar”, kur realisht duhej të ishte “Tender i hapur ndërkombëtar”.

Së dyti, sipas saj, ka ndryshuar vendi ku do të ndërtohej inceneratori.

Së treti, pas firmosjes së kontratës, ka ndryshuar një nga anëtarët e bashkimit të shoqërive, sipas pretendimeve nga LSI.

Arsyeja e katërt lidhej me afatin e zgjatur të punimeve. E pesta me publikimin e procedurës dhe e gjashta me zhvendosjen – e pretenduar e jashtëligjshme – e inceneratorit.

Lefter Koka fitoi mandatin e deputetit më 25 prill në Qarkun e Durrësit.

Mirëpo, më 1 shtator 2021, vetëm dhjetë ditë përpara fillimit të punimeve të Kuvendit të ri, Koka dha dorëheqjen nga posti nëpërmjet një statusi në median sociale Facebook.

Karriera e tij politike ka nisur qysh në fillimvitet 2000.

Ai ka qenë kryetar i Bashkisë Durrës fillimisht, në mandatin 2003-2007.

Më pas, Koka, pjesë e LSI-së, do të bëhej ministër i Mjedisit në vitin 2013, në Qeverinë e parë të Edi Ramës, i cili bashkoi forcat me Ilir Metën, asokohe në një koalicion të gjerë parlamentar.

Në shtator 2017, Koka do të merrte postin e deputetit nën siglën e LSI-së, por këtë herë do të qëndronte në opozitë.

Në zgjedhjet e 25 prillit, pasi nuk pranoi të digjte mandatin e tij me vendim partie në vitin 2019 – duke qëndruar kështu në Parlament – Koka iu bashkua socialistëve, ku mori edhe votat për të qenë pjesë e Parlamentit si deputet i Qarkut Durrës.

Lefter Koka është një person, i cili i është afruar politikës nga bota e biznesit, duke zhvilluar një karrierë të shtrirë në dy dekada.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore