Lajme

KMDLNj e quan “vizitë mashtruese” atë të Ekaterina Trandafilova në Kosovë


Kryetarja e Gjykatës Speciale në Hagë, Ekaterina Trandafilova dhe KMDLNJ.

“VIZITA MASHTRUESE E MASHTRUESES EKATERINA TRANDAFILOVA NË KOSOVË!”, kështu e ka quajtur Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut kryetaren e Gjykatës Speciale në Hagë, Ekaterina Trandafilova.

Përmes një shkrimi KMDLNJ, ka drejtuar një varg akuzash ndaj saj, duke thënë se ajo ka ndërtuar raport klientelist me Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq.

“Kryetarja e Gjykatës Speciale Raciste në Hagë, Ekaterina Trandafilova ka ndërtuar raport klientelist me Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, të ashtuquajturin Avokat i Popullit i DHS-ara dhe Avokatin e Popullit të Holandës për monitorimin e të drejtave të njeriut të personave të privuar nga liria duke siguruar, në këtë mënyrë një mungesë të plotë të transparencës dhe llogaridhënies”.

Në këtë shkrim, Këshilli konsideron se Gjykata Speciale nuk i jep llogari asnjë institucioni të Kosovës për shkeljet që ndodhin.

“Gjykata Speciale dhe kryetarja e saj thirren se janë pjesë e sistemit të drejtësisë së Kosovës vetëm kur duan të krijojnë alibi për shkeljet e shumta të të drejtave të njeriut në ndërkohë që nuk i japin llogaridhënie asnjë institucioni në Kosovë, qoftë Kuvendit të Kosovës”.

Gjykata Speciale.

“Është një kërkesë e turpshme dhe kërcënuese që ZPS –ë dhe Gjykata Speciale, në formë pyetësori i dërgon Ministrisë së Drejtësisë pikërisht për mënyrën e kompensimit të viktimave dhe, pas marrjes së përgjigjes, përsëri ka kërkuar sqarime sepse nuk është në përputhje me pritjet”.

Të njëjtit, thonë se numri më i madh i materialeve ndaj të akuzuarve në Hagë vjen nga Serbia.

“Ekaterina Karanfilova thotë se janë mbi 1 milionë faqe të materialeve për rastin e katër të akuzuarve të posteve më të larta institucionale në Kosovë, pa treguar se sa janë nga Serbia e që KMDLNj –ë mendon se shumica janë nga Serbia”.

Ndryshe, më 29 prill, Zyra e Prokurorit  të Specializuar ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.

Prokuroria po pretendon se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Në aneksin e publikuar sa i përket krimeve që pretendohen se ndodhën në Semetishtë dhe Budakovë, prokuroria ka listuar krimet e luftës si arrestimi dhe ndalimi i paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor ose çnjerëzor, torturë, vrasje.

Ndërkaq, si krime kundër njerëzimit i ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen, zhdukjen e personave me forcë dhe persekutimin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore