Lajme

Klinaku thotë se Specialja e ka liruar Gucatin


Hysni Gucati

Gjykata Speciale ka aprovuar kërkesën e ish-luftëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucatit, për lirim me kusht nga burgu në Hagë.

Kështu të paktën ka bërë të ditur ushtruesi i detyrës së kryetari të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Faton Klinaku.

Gucati së bashku me Nasim Haradinajn ishin dënuar nga Gjykata Speciale me katër vjet e gjysmë burgim, secili veç e veç, më 18 maj të vitit 2022.

Klinaku nuk ka dhënë më shumë detaje rreth lirimit me kusht të Gucatit, përveç se ka konfirmuar atë.

“Dje kam biseduar me avokatët dhe më kanë treguar që është marrë vendimi për lirimin e Hysni Gucatit. Ai pritet të vije në Kosovë javën e ardhshme”, tha ai.

Ndërsa Dhomat e Specializuara të Kosovës nuk janë deklaruar ende për këtë rast, të paktën deri në publikimin e këtij artikulli.

Albanian Post ka dërguar pyetje në Gjykatën Speciale për këtë dhe posa të marrë një përgjigje teksti do të përditësohet.

Gucati e Haradinaj u shpallën fajtorë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim gjatë procedurës penale dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Ata u shpallën të pafajshëm për veprën e hakmarrjes.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore