Lajme

Kinë/ Gjykata vendosi kundër gruas që u bë fytyra dhe zëri i lëvizjes #MeToo


Në Kinë, një grua viktimë e ngacmimit seksual nga një drejtues i njohur televiziv, ka ndezur një debat mbarëkombëtar nga lëvizja #MeToo, e cila ka akuzuar një gjykatë të Pekinit për trajtim të padrejtë dhe është zotuar të apelojë pasi vendosi kundër saj.

Agjencia e lajmeve, “The Guardian”, tregon se Gjykata e Popullit, Haidian, ka thënë në një gjykim të lëshuar të martën e 14 shtatorit, se Zhou Xiaoxuan nuk ka përmbushur standardin e provës në pretendimin se Zhu Jun, eprori i saj, e ngacmonte seksualisht.

Zhou, e njohur gjerësisht si Xianzi, kishte ngritur një padi kundër drejtuesit të CCTV-së, duke e akuzuar atë për puthje me forcë në vitin 2014 kur ajo ishte praktikante.

Fillimisht, ajo doli në publik me akuzat e saj në vitin 2018 në një postim në rrjetet sociale me një shkrim prej tre mijë fjalësh dhe shpejt u bë fytyra e lëvizjes #MeToo në Kinë.

“Sot, i thashë gjykatës se ky incident ndodhi kur isha 21 vjeç, kurse tani jam 28. Në tre vitet e fundit, për shkak të këtij rasti ligjor nuk isha në gjendje të bëja punë të tjera. Isha shumë e trishtuar dhe nuk mund të mos qaja në gjykatë sot”, ka thënë Zhou.

Ajo ka vijuar se “mund të pranoj të gjitha llojet e rezultateve, por thjesht dua drejtësi themelore procedurale”, duke shtuar se ajo dhe avokatët e saj u privuan nga mundësia për të paraqitur plotësisht çështjen e tyre në gjykatë.

Nga ana tjetër, në llogarinë e vet në rrjetin social, WeChat, Zhou renditi shtatë raste në të cilat ajo la të kuptohej se gjykata ishte e padrejtë ndaj saj.

Kështu, u shkroi mbështetësve të saj se “dështimi nuk është i turpshëm dhe jam e nderuar që kam qëndruar me ju së bashku në tre vitet e fundit…faleminderit shumë, të gjithëve, patjetër që do të apeloj”.

Në të herët të së martës, ajo u godit nga kalimtarët antagonistë teksa u drejtua në gjykatë për seancën e dytë të çështjes civile, e cila ishte anuluar në datën e saj të planifikuar në maj.

Ndërkohë. shumë të tjerë ishin në mbështetje të saj.

Zhou kishte kërkuar një falje publike nga Zhu, si dhe 50 mijë juanë në dëmshpërblim. Por Zhu i mohoi akuzat dhe nisi procedurat për shpifje.

Çështja civile e saj kishte mbatur në gjykatë për vite me radhë, derisa gjykata ra dakord ta dëgjonte atë në dhjetor 2020. Kur ajo ngriti padinë në vitin 2018, ankesa të tilla trajtoheshin si mosmarrëveshje pune dhe ajo e Zhou u cilësua si një “mosmarrëveshje për të drejtat e personalitetit”.

Një gjykatë e hodhi poshtë një kërkesë që ajo të kalonte në një dispozitë që citonte shprehimisht ngacmimin seksual, pas reformave të mëdha në kodin civil të vendit në vitin 2020.

“Besoj se drejtësia në këto procedura bazë është një rrugë e nevojshme për të marrë një rezultat të drejtë dhe të gjitha përpjekjet që kemi bërë para seancës nuk janë vetëm për fitore, por për një drejtësi themelore”, ka thënë Zhou.

Në gusht, akuzat e postuara në internet nga viktimat çuan në ndalimin e një mësuesi të matematikës me akuzat e ngacmimit me dhunë dhe pushkatimin e një drejtuesi të njohur televiziv në televizionin Hunan.

Megjithatë, viktimat e dhunës seksuale përballen me pengesa ligjore dhe sociale për të kërkuar drejtësi.

“Mesazhi është mjaft i fortë…dhe po u thotë njerëzve se kjo do të ndryshojë gjërat”, ka thënë Darius Longarino, një studiues kërkimor në Fakultetin Juridik Yale. “Por në terren, në sistemin aktual, ka ende shumë kurthe”, ka shtuar.

Në një raport të fundit, Longarino dhe kolegët gjetën vetëm 83 raste civile në bazat e të dhënave publike që lidheshin me ngacmimet seksuale ose ngacmimet midis viteve 2018 dhe 2020. Nga 83 rastet, 77 u sollën nga ngacmuesi i pretenduar kundër kompanive ose viktimës. Vetëm gjashtë raste u ngritën nga viktimat kundër një ngacmuesi.

Gjithashtu autoritetet kanë vënë në shënjestër aktivistët dhe grupet feministe si pjesë e spastrimit të nënkulturave të të rinjve dhe pakicave, duke censuruar poste dhe grupe. Shumë gra ngurrojnë të flasin në shoqërinë konservatore të Kinës, ku viktimat mund të përballen edhe me fajin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore