Biznes

Kina u kërkon firmave shtetërore të sigurimeve të rishikojnë ekspozimin ndaj Rusisë


Kina ka detyruar firmat e mëdha shtetërore të sigurimeve që të kryejnë kontrolle urgjente për ekspozimin e tyre ndaj Rusisë dhe Ukrainës.

Kjo vjen pas shqetësimeve që vërtiten për dëmtimin e dy ekonomive mes luftimeve intensive.

Masa mësohet të jetë shkaktuar gjithashtu nga sanksionet gjithëpërfshirëse që janë vendosur nga shumë vende ndaj Rusisë.

Dy firmave të mëdha shtetërore të sigurimeve u është kërkuar nga rregullatorët të kryejnë kontrolle të brendshme mbi ekspozimin e portofolit të tyre të biznesit dhe investimeve ndaj Rusisë dhe Ukrainës.

Të paktën kështu ka rezultuar nga disa raportime për agjencinë “Reuters”.

Lëvizja ravijëzon përpjekjet e Pekinit për të minimizuar rrezikun mbi institucionet e veta edhe pse vazhdon të mbajë lidhje të forta tregtare me Rusinë përballë sanksioneve të vendosura nga Perëndimi.

Veçanërisht qeveritë perëndimore po e mbyllin ekonominë e Rusisë nga sistemi financiar global, duke i shtyrë kompanitë ndërkombëtare të ndalojnë shitjet, të ndërpresin lidhjet dhe të heqin dhjetëra miliarda dollarë investime.

Kina, ekonomia e dytë më e madhe në botë, ka shprehur vazhdimisht kundërshtimin e sanksioneve, duke i quajtur ato joefektive dhe duke këmbëngulur se do të mbajë shkëmbime normale ekonomike dhe tregtare me Rusinë.

Sakaq, nuk është e qartë se çfarë veprimi do të ndërmarrë Pekini pasi kompanitë e sigurimeve të kenë kryer rishikimet.

Agjencia “Reuters” tregon se një nga autoritetet rregullatore i ka kërkuar një siguruesi të kontrollojë projektet e lidhura me Ukrainën dhe Rusinë në mënyrë urgjente.

Kurse një tjetër kompani ka marrë një kërkesë urgjente për të kontrolluar ekspozimin e firmës ndaj dy vendeve dhe për të paraqitur një raport mbi të.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore