Pajisje

Kina planifikon rregulla të reja për shërbime si Airdrop dhe Bluetooth


Kina po planifikon të kufizojë dhe të shqyrtojë përdorimin e shërbimeve të shkëmbimit wireless të dokumenteve midis pajisjeve celulare, të tilla si airdrop dhe Bluetooth.

Kjo pasi ato u përdorën nga protestuesit për të shmangur censurën dhe për të përhapur mesazhe proteste.

Administrata e Hapësirës Kibernetike e Kinës, rregullatori më i lartë i internetit në vend, ka lëshuar projekt-rregulloret mbi “shërbimet e rrjetit me rreze të afërt” dhe gjithashtu ka nisur një konsultim publik njëmujor.

Referuar rregullave të propozuara, ofruesit e shërbimeve duhet të parandalojnë shpërndarjen e informacionit të dëmshëm dhe të paligjshëm, të ruajnë të dhënat përkatëse dhe të raportojnë zbulimin e tyre te rregullatorët.

Ofruesit e shërbimeve do të duhet gjithashtu të ofrojnë të dhëna dhe asistencë teknike për autoritetet përkatëse, duke përfshirë rregullatorët e internetit dhe policinë, kur ata kryejnë inspektime.

Përdoruesit duhet edhe të regjistrohen me emrat e tyre të vërtetë.

Kurse veçoritë dhe teknologjitë që kanë aftësinë për të mobilizuar opinionin publik duhet t’i nënshtrohen një vlerësimi sigurie përpara se të mund të prezantohen.

“Projekt-rregulloret e reja do të sjellin airdrop dhe shërbime të ngjashme në aparatin e kontrollit të përmbajtjes në internet të Kinës”, ka thënë analisti Tom Nunlist.

Android i Google-it dhe prodhues të tjerë kinezë të telefonave, si Xiaomi dhe Oppo, ofrojnë gjithashtu funksione të ngjashme që janë të pajtueshme midis pajisjeve të tyre.

Por Apple-i u vu në qendër të vëmendjes pasi disa protestues kinezë përdorën airdrop në vitin 2022 për të anashkaluar mbikëqyrjen dhe për të shpërndarë mesazhe kritike ndaj regjimit duke ua dërguar të huajve në transportin publik.

Mjeti ishte një metodë relativisht e pagjurmueshme për ndarjen e skedarëve në Kinë, ku shumica e mediave sociale dhe platformave të mesazheve monitorohen fort.

Më vonë, Apple kufizoi përdorimin e airdrop në iPhone në Kinë, duke i lejuar përdoruesit kinezë të marrin skedarë nga jo-kontaktet për vetëm dhjetë minuta në të njëjtën kohë.

Ndërkohë, rregullat e propozuara do të marrin kontrollin e funksioneve të ngjashme deri në një nivel, duke kërkuar që marrja e skedarëve dhe pamja paraprake e miniaturave të çaktivizohen si parazgjedhje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore