Lajme

Kina fton taivanezët të vaksinohen ndaj Covid-19


Qeveria kineze ka ftuar zyrtarisht qytetarët e Taivanit për t’u vaksinuar ndaj Covid-19, duke i bërë kështu thirrje autoriteteve taivaneze që të heqin pengesat e ndalimit të vaksinimit në Kinë.

Pretendimet e palës kineze janë ato se Taivani, është territor i Kinës dhe vazhdimisht është bërë thirrje që vaksinimi i taivanezëve të merret përsipër nga Kina.

Kjo thirrje ka ngjallur debat në shtetit ishullor. Përtej konfliktit me Pekinin zyrtar, shqetësim është ngritur edhe mbi efektshmërinë e dozave. Gjithashtu, dozat nga kompanitë farmaceutike kineze, nuk janë aprovuar për përdorim në Taivan.

Por, kjo sipas kinezëve, është e papranueshme. Vendimi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për aprovimin e dozave nga Sinopharm dhe Sinovac, është garantues mbi efektivitetin e vaksinave.

I vetmi kusht që taivanezët të shkojnë të vaksinohen, është ai i respektimit të masave dhe protokolleve të vendosura ndaj Covid-19.

Raportohet se 62 mijë taivanezë, e kanë marrë tashmë të paktën një dozë vaksine kineze. Por, këtu bëhet fjalë për persona që jetojnë dhe punojnë në Kinë.

Ndërkaq, situata e vaksinimit në ishull, nuk është ndër më të mirat. Vetëm 3% e popullsisë kanë marrë të paktën një dozë. Kjo, pavarësisht se të kontraktuara janë miliona doza. Vetëm Japonia ka dhuruar 1.24 milionë doza AstraZeneca për Taivanin.

SHBA-të nga ana tjetër, kanë premtuar 750 mijë doza Pfizer.

Nga ky aspekt, edhe pse ftesa e Kinës është joshëse, duket se nuk preferohet nga shumë taivanezë. Këtë e vërtetoi një studim i Universitetit Kombëtar të Taipei-t, ku shumica e qytetarëve të Taiwan-it, pohonin se nuk do të pranonin të kryenin vaksinën kineze.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore