Lajme

Kina e quan marrëdhënien me Rusinë “një model të ri për botën”


Marrëdhënia Kinë-Rusi është “model i ri” për botën, duke sfiduar kështu SHBA-të dhe kombet e tjera që duan që Pekini ta dënojë Moskën për luftën në Ukrainë.

Ka qenë zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Zhao Lijian, i cili ka bërë me dije se Kina ka forcuar mbështetjen e saj retorike për Rusinë.

“Një pikë e rëndësishme nga suksesi i marrëdhënieve Kinë-Rusi është se të dy palët ngrihen mbi modelin e aleancës ushtarake dhe politike në epokën e Luftës së Ftohtë”, shpjegoi Zhao Lijian, duke shtuar se ata “angazhohen për zhvillimin e një modeli të ri në marrëdhëniet ndërkombëtare”.

Ai model përfshinte mos-shkaktimin e konfrontimeve apo kërcënimin e kombeve të tjera, vijoi Zhao në një konferencë të premten në Pekin.

Ai shtoi se kjo ishte e ndryshme nga “mentaliteti i Luftës së Ftohtë” i shfaqur nga disa vende -kritika standarde e Pekinit për bashkëpunimin e SHBA-ve me blloqe si Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut, zgjerimi i së cilës Pekini thotë se çoi në sulmin e Rusisë.

Muajin e kaluar, presidenti amerikan, Joe Biden, e paralajmëroi presidentin Xi Jinping për “implikime dhe pasoja”, nëse Pekini mbështet Moskën për pushtimin, dhe udhëheqësi kinez tha se vendi i tij nuk e donte luftën.

Nuk ka pasur asnjë shenjë se Kina e ka mbështetur Rusinë ose e ka ndihmuar atë të kapërcejë sanksionet, por ajo ka ofruar mbështetje retorike, duke përsëritur teoritë e konspiracionit rus, siç është pretendimi i rremë se SHBA-të drejtojnë një rrjet të laboratorëve biologjikë të armëve në Ukrainë.

Pekini gjithashtu ka treguar vazhdimisht se i qëndron miqësisë “pa kufij”, të cilën Xi dhe presidenti rus Vladimir Putin e deklaruan kur u takuan pak para Olimpiadës Dimërore në muajin shkurt.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore