Lajme

Kina bllokon vizat për Korenë e Jugut dhe Japoninë për shkak të kufizimeve ndaj COVID-it


Kina ka ndaluar lëshimin e vizave afatshkurtra për individë nga Koreja e Jugut dhe Japonia.

Dhe e gjitha vjen si hakmarrje për kufizimet e COVID-it ndaj udhëtarëve kinezë.

Referuar autoriteteve në Pekin, pauza për vizat e Koresë së Jugut do të mbetet në fuqi derisa të hiqen kufizimet “diskriminuese” të hyrjes kundër Kinës.

Sakaq, Japonia dhe Koreja e Jugut nuk janë të vetmet vende që vendosin kërkesa për hyrje për udhëtarët nga Kina, ku rastet me COVID janë në rritje.

Kurse masat e tyre janë ndër më të rreptat.

Javën e kaluar, Koreja e Jugut ndaloi lëshimin e vizave turistike për ata që vijnë nga Kina, të cilat ministria e Jashtme kineze i quajti “të papranueshme dhe joshkencore”.

Japonia ndërkohë po lejon vizitorët kinezë të hyjnë në vend me kusht që të rezultojnë negativë në testet COVID.

Çka është një situatë e ngjashme me Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA-të, por Japonia gjithashtu po kufizon fluturimet nga Kina në disa qytete japoneze.

Kina i rihapi kufijtë të dielën e 8 janarit për herë të parë që nga marsi 2020 si pjesë e heqjes së politikës zero-COVID.

Duke reaguar ndaj kufizimeve të fundit të vizave të Kinës, ministria e Jashtme e Koresë së Jugut ka thënë se politika e saj ndaj ardhjeve nga Kina ishte “në përputhje me provat shkencore dhe objektive”.

Kjo me argumentin se rreth një e treta e të gjithë të ardhurve nga Kina rezultuan pozitive përpara se të vendoseshin kufizimet e vizave.

Ndërkaq, shumë koreano-jugorë e mbështesin idenë për të mbrojtur vendin e tyre nga rritja e rasteve me COVID të Kinës, por jo të gjithë janë të bindur se vendimi është thjesht mjekësor. Në të mund të ketë edhe një element politik, sipas tyre.

Kufizimet e Koresë së Jugut supozohet të zgjasin të paktën deri në fund të muajit, gjë që do t’u japë shkencëtarëve kohë për të analizuar për çdo variant të ri të mundshëm që vjen nga Kina.

Për momentin, vetëm një numër i vogël udhëtarësh biznesi ose diplomatike nga Kina po lejohen të hyjnë në Korenë e Jugut. Ata duhet të rezultojnë negativë përpara nisjes dhe gjithashtu pas mbërritjes.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore