Shqipëria

Kim takohet me Ramën, bën bilancin e marrëdhënieve SHBA-Shqipëri


Ambasadorja e SHBA-ve në Shqipëri, Yuri Kim, është takuar me kryeministrin Edi Rama për të rishikuar arritjet në marrëdhëniet mes dy vendeve për vitin 2022.

Po ashtu edhe për të diskutuar mënyrat për të vazhduar forcimin e bashkëpunimit për vitin pasardhës.

Gjatë takimit, Kim ka shprehur vlerësimin e SHBA-ve për lidershipin dhe kontributin e rëndësishëm të Shqipërisë gjatë vitit të parë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Sipas saj, roli i Shqipërisë atje ka qenë kritik për çështje të rëndësishme globale, duke përfshirë mbështetjen e Ukrainës përballë pushtimit të Rusisë.

Ajo ka vlerësuar gjithashtu kontributet e Shqipërisë për integrimin dhe stabilitetin rajonal, duke përfshirë thirrjet për përmbajtje në veri të Kosovës.

“SHBA-të dhe Shqipëria kanë dënuar të gjitha sulmet ndaj agjencive të sigurisë kosovare dhe ndërkombëtare dhe kërcënimet me dhunë dhe frikësim, dhe kanë shprehur mbështetjen e plotë për KFOR-in dhe EULEX-in”, thuhet në deklaratën e shpërndarë nga ambasada.

Deklarata vijon se, të dyja vendet u kanë kërkuar palëve të punojnë në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE për të zgjidhur çështjet shqetësuese.

Nga ana tjetër, Kim e ka uruar Ramën për pritjen e suksesshme të Samitit historik BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë.

Të gjitha këto duke përsëritur se SHBA-të mbështesin me vendosmëri integrimin e plotë evropian të Shqipërisë si anëtare e BE-së.

Ata kanë diskutuar edhe për sfidat në zbatimin e reformës në drejtësi në Shqipëri.

Të dy kanë rënë dakord se është thelbësore që institucionet e drejtësisë në Shqipëri të jenë të pavarura dhe të patrembura në ekzekutimin e detyrave dhe përgjegjësive të tyre.

Në takimin e mbajtur prej tyre, pjesë e diskutimit kanë qenë edhe arritjet historike në marrëdhëniet e mbrojtjes SHBA-Shqipëri.

Ndër këto të fundit, aftësitë ushtarake dhe kontributet në rritje të Shqipërisë si një aleate e NATO-s.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore