Shqipëria

Kim në Librazhd, viziton tunelin e armatimeve në proces rinovimi nga EUCOM


Yuri Kim, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, ka udhëtuar drejt Librazhdit të mërkurën e 15 shkurtit.

Atje, ajo u takua me ushtarë shqiptarë dhe amerikanë që po punojnë së bashku për të rinovuar gjashtë tunele armatimesh.

Programi Humanitar i Minave përmes Komandës Evropiane të SHBA-ve U.S. European Command (EUCOM), prej vitit 2014, ka punuar për të hequr municionin e pashpërthyer.

Po ashtu ka ndërtuar vende magazinimi të sigurta në Shqipëri dhe ka trajnuar personel shqiptar për mirëmbajtjen dhe menaxhimin e municioneve.

Në Shqipëri janë vrarë ose plagosur më shumë se një mijë njerëz  nga minat tokësore, municionet thërrmuese dhe municionet e pashpërthyera.

Disa municione datojnë që nga Lufta e Dytë Botërore, por shumica e municioneve të rrezikshme janë rezultat i trazirave civile të vitit 1997 dhe luftës së Kosovës në vitet 1998-1999.

Sakaq, SHBA-të “do të vazhdojnë të punojnë ngushtë me autoritetet shqiptare për të siguruar që municionet të ruhen të sigurta dhe të mos përbëjnë kërcënim për civilët e pafajshëm”.

Ambasadorja Kim, gjatë vizitës së saj u takua edhe me tre të mbijetuar që u plagosën rëndë nga minat tokësore dhe municionet e pashpërthyera.

Ajo dëgjoi historitë e tyre dhe mësoi se si ata i kanë kapërcyer këto sfida që ndryshojnë jetën.

Përmes ndihmës së SHBA-ve, këta të mbijetuar mundën të merrnin gjymtyrë protetike dhe mbështetje, përfshirë trajnim karriere.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore