Shqipëria

Kim: Marrëdhëniet Shqipëri-SHBA, përtej partiakes


Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Yuri Kim, në një postim në llogarinë e saj në platformën Twitter, shkruan se takimet e delegacionit të lartë të Kongresit të SHBA-ve, si në selinë e Partisë Demokratike, edhe në Kryeministri, flasin për marrëdhëniet mes dy vendeve përtej kaheve politikë.

“Takimet me Edi Ramën dhe Lulzim Bashën tregojnë se marrëdhëniet mes SHBA-ve dhe Shqipërisë e tejkalojnë politikën partiake”, shkruante Kim në Twitter.

Ajo gjithashtu i ka falënderuar kongresmenët, që vizituan Shqipërinë.

“Faleminderit Joni Ernst, Elissa Slotkin, David Valadao dhe Jake LaTurner që e vizituat Shqipërinë”.

Përpos kësaj, Kim ka shtuar se ligjvënësit amerikanë kanë nxitur progresin në zbatimin e ligjit, duke ravijëzuar se kjo do të tërheqë më shumë biznese dhe investime amerikane në vend.

“Ligjvënësit amerikanë kërkuan përparim në sundimin e ligjit, duke theksuar se kjo do të tërheqë biznese dhe investime amerikane”, ka vijuar ajo në Twitter.

Paraditen e 8 nëntorit, tre kongresmenët amerikanë fillimisht u takuan me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

“Me senatorë e kongresmenë nga Shtetet e Bashkuara, në një rrugë miqësie e partneriteti që forcohet dita-ditës”, shkruante Rama në postimin e tij në Facebook.

Kryeminsitri Edi Rama, ambasadorja Yuri Kim dhe ligjvënës amerikanë

Në fotot e shpërndara nga kryeministri, binte në sy edhe fakti se ai kishte shpërndarë disa dhurata për ligjvënësit amerikanë.

Nga ana tjetër, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një deklaratë për mediat pas takimit me delegacionin e lartë të Kongresit të SHBA-ve, bëri me dije se kongresmenët shprehën interes për nismat e PD-së, vettingun e politikanëve dhe kauzën për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Lulzim Basha, kreu i Partisë Demokratike

“Në prioritetin e parë për Shqipërinë natyrisht rendita domosdoshmërinë e rikthimit të vendit në shinat demokratike të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, tha kryedemokrati.

Po ashtu bëri me dije se në fokus ishte rëndësia për sigurinë, paqen dhe prosperitetin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore