Lajme

Kica radhit 10 skandale të Qeverisë Kurti, pyet se si do ta quante këtë udhëheqje të tij


Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica Xhelili dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Doarsa Kica Xhelili, ka radhitur 10 skandale të Qeverisë së Kosovës, duke thënë se është kureshtare ta dijë se si do të përgjigjet kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kica, ka përmendur në rrjetin social ‘Facebook’, nënshkrimin e tenderave, rastin e Nagip Krasniqit, mos shkarkimin e ambasadorit Martin Berishaj, keqpërdorimin me rezerva shtetërore.

“Nënshkruan tendera sekret me të njofshëm, mbi 200 milionë euro për 3 vite, nënshkruan edhe 30 milionë tjera njësoj, për tre muaj në vitin 2024, shkarkon policë hetues e drejtorë që urdhërojnë veprime hetimore ndaj akterëve të LVV (p.sh. rasti i Nagip Krasniqit), mbajnë ambasador njeriun që ka tërheq mbi 1 milion euro pa e deklaruar prejardhjen, gënjen në komision hetimor parlamentar (të dyja vepra penale), dhe është ndërmjetësues direkt me GEN të Serbisë”, ka shkruar ajo.

Teksa ka theksuar edhe mos vazhdimin e mandatit të komisionit hetimor për rezerva shtetërore dhe rastin e ministrit Liburn Aliu për të cilin raportoi AP-ja për shlyerjen e kundërligjshme të borxheve për kompanitë e ambalazhuesve të ujit.

“Abuzon me rezerva shtetërore dhe saboton komisionin hetimor që synon zbardhjen e rastit, i falë ambalazhuesve të ujit miliona euro para të shtetit, pavarësisht që një veprim i NJËJTË i është konstatuar i kundërligjshëm nga gjykatat një ish kryeministri nga AAK”.

Kica Xhelili, po ashtu ka përmendur edhe gjetjen e mostrave të ish-aktivistetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, për të cilat raportoi AP-ja më 29 mars.

“Konfirmohet nga Departamenti Amerikan i shtetit se është qeveri e korruptuar, nuk voton komision hetimor për zbardhjen e rastit Dehari dhe vjedhjen e mostrave të Institutit të Mjekësisë Ligjore”.

“Herë e shan Gjykatën Kushtetuese e herë thotë t’a presim vendimin e saj, varësisht çka i konvenon”.

Ndërsa, ka thënë se edhe pas 3 viteve në qeverisje pushteti vazhdon të diskutojë për qeverisjet e kaluara.

“Edhe pas 3 viteve qeverisje flasin për “20 vite të kaluara” (e cila përfshin edhe kohën e Presidentit Rugova dhe pavarësinë e 2008-ës), dhe REFUZOJNË debatin parlamentar për nivelin e korrupsionit”.

“Kam dhe tjera por një herë me kaq”.

Në seancën e Kuvendit të Kosovës, këtë të enjte është kërkuar nga opozita që të diskutohet për raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH), por që nga pushteti është kërkuar që të caktohet për një ditë tjetër.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore