Gjenden të gjitha mostrat e Astrit Deharit – s’dihet kush i mori e s’dihet kush i ktheu

SHFLETO

Foto nga arkivi.

 

Altina Marmullaku
29.03.2024 17:26
Loading Icons...

8 dhjetor të 2022-së, Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML), i ishin zhdukur mostrat e ish aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, por pas pothuajse një viti e gjysmë mostrat e ish aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, janë gjetur dhe janë kompletuar.

Për këtë arsye hetuesia nga Policia e Kosovës të premten ka qenë në IML gjatë ditës.

Lajmi është bërë i ditur për Albanian Post nga burime brenda IML-së, të cilët kanë thënë se janë gjetur “nga Komisioni i Inventarizimit”.

“Kush i mori dhe kush i ktheu ose s’i ka marrë askush ne nuk e dimë akoma. Ka mundësi edhe që janë gjetur më herët, por janë zyrtarizuar tani”.

“Por, hetuesia ka qenë të premten për këtë arsye”, ka thënë burimi.

Sipas informacioneve që ishin bërë publike në atë kohë ishte thënë se mungonin 12 epruveta me gjak.

Nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, kur ishin pyetur nga gazetarët për video-incizimet ku shihet se kush i ka zhdukur mostrat e aktivistit Astrit Dehari, kishin thënë “se nuk kanë pasur qasje në ato video, sepse janë marrë nga Policia e Kosovës me urdhër të Prokurorisë Speciale”.

“Ne i kemi kamerat të cilat e survejojnë hapësirat e IML-së duke përfshirë edhe ato të laboratorit, ato incizohen në serverët tanë të cilët janë marrë nga policia, dhe ne nuk i kemi parë, vetëm policia për momentin ka qasje në ato video dhe vetëm ata mund të thonë nëse ka diçka konkrete lidhur me këtë apo jo”, kishte thënë Ditor Haliti – drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore.

Albanian Post ka dërguar pyetje edhe tek Ministria e Drejtësisë lidhur me informacionet që kanë për këtë rast dhe kohës se kur janë kthyer mostrat, por që akoma s’ka pranuar përgjigje.

Kur dhe si u zhdukën mostrat e Astrit Deharit?

Në një konferencë për media më 8 dhjetor të 2022-së, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kishte bërë të ditur se ishin zhdukur mostrat e Astrit Deharit – aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, i cili u gjet i vdekur në qelinë e burgut në Prizren më 5 nëntor të vitit 2016 – nga laboratori i toksikologjisë.

Për Haxhiun, ky akt përveç se ishte i rëndë ishte edhe kriminal.

“Për këtë arsye mbrëmë e kam njoftuar Kryeprokurorin e Shtetit, Besim Kelmendin si dhe Drejtorin e Policisë, Fehmi Hoti. Sot në mëngjes kam vizituar Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe nga zyrtarët kompetent jam njoftuar si në vijim”.

Për këtë rast, katër persona të dyshuar u suspenduan.

Ata u suspenduan nga IML më tetë dhjetor 2022, por u rikthyen në punë më 19 shkurt 2023, pas një vendimi të Komisionit Disiplinor brenda Institutit.

Zhdukja e mostrave të Astrit Deharit nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, sipas Haxhiut janë vërejtur në momentin kur mostrat nga frigoriferët e vjetër janë bartur në frigoriferët e rinj.

“Gjatë bartjes së mostrave, një zyrtar ka vërejtur se mungojnë mostrat me disa kode. Zyrtari ka marr kodet dhe ka kontrolluar se cilat mostra janë në pyetje dhe më pastaj është marr vesh se bëhet fjalë për mostrat e Astrit Deharit”.

“Hera e fundit kur mostrat janë bartur është në tetorin e vitit 2021, pra nga Tetori deri sot, nuk dihet saktë kur janë zhdukur mostrat”, kishte thënë Haxhiu.

Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, u gjet i vdekur në qelinë e burgut në Prizren më 5 nëntor të vitit 2016.

Dehari ishte anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, i arrestuar bashkë me disa pjesëtarë të tjerë të kësaj lëvizje, nën akuzat se kanë sulmuar Kuvendin e Kosovës.

Ai vdiq në burg.

Zyrtarisht u konstatua se ka bërë vetëvrasje, por Vetëvendosje ishte e bindur se dikush e ka vrarë atë.

Nga atëherë, provat janë dërguar edhe në institute jashtë vendit, por nuk është arritur të konstatohet se ka pasur persona të tjerë të përfshirë në vdekjen e Deharit.

Familja e tij, qysh nga vdekja, po vazhdojnë betejën për zbardhjen e rastit. Ata, njëjtë si Vetëvendosje, janë të bindur se dikush ua vrau djalin.

Shtetit i zhduken mostrat e Astrit Deharit nga laboratori, “mungojnë 12 epruveta me gjak”