Lajme

KFOR-i mirëpret shtensionimin e situatës, premton siguri dhe liri të lëvizjes në veri


Pjestarët e KFOR-it në Veri-2 tetor 2021

Misioni i Aleancës Veri-Atlantike (NATO-s) në Kosovë, KFOR ka ritheksuar se do të qëndrojnë për rreth dy javë në Veri të Kosovës për të siguruar një mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes në përputhje me mandatin e aj.

Gjithashtu, KFOR nëpërmjet një postim në Facebook, ka deklaruar se e mirëpresin shtensionimin e situatës e krijuar me 20 shtator, kur Kosova morri vendim që të zbatoj masën e reciprocitetit të targave me Serbinë.

“KFOR-i mirëpret shtensionimin e situatës në pjesën veriore të Kosovës, dhe për dy javët e ardhshme do të mbajë një prani të përkohshme të fuqishme dhe të shkathët në zonë, në përputhje me marrëveshjen dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për të siguruar një mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes”, thuhet në postim.

KFOR

Pas 12 ditësh, Njësia Speciale Operative e Policisë së Kosovës është larguar nga pikë kalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.

Njësitë Speciale ishin vendosur aty të hënën e 20 shtatorit, pas vendimit të qeverisë për reciprocitet me Serbinë për targat e automjeteve, mirëpo menjëherë po atë ditë serbët kishin vendosur barikada në rrugë në shenjë pakënaqësie me vendimin, duke bllokuar rrugën për qarkullim të njerëzve dhe mallrave.

Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, kanë arritur pajtueshmëri më 30 shtator për çështjen e targave dhe zhbllokimin e situatë në Veriut.

Marrëveshja për targat përmban tri elemente.

Pika 1: “Të shtunën e dy tetorit, forcat e KFOR-it “do të vendosen në vendkalimet kufitare Jarinjë dhe Bërnjak dhe disa orë pas vendosjes së tyre, do të fillohet me largimin e barrikadave dhe njëkohësisht edhe me zhvendosjen e njësisë speciale të policisë së Kosovës. Njësitë e KFOR do të qëndrojnë në vendkalimet kufitare afërsisht dy javë dhe mund të largohen nga vendkalimet pastaj në rast të qetësimit komplet të situatës”.

Pika 2: “Në mëngjesin e katër tetorit do të fillojë zbatimi i përkohshëm i sistemit të afisheve me të cilat si Kosova ashtu edhe Serbia do të mbulojnë elementet shtetërore të targave të njëra tjetrës. Rrjedhimisht nga dita e hënë parashihet që asnjë qytetarë i Kosovës dhe Serbisë nuk do ketë më nevojë të vendosë tabela të përkohshme gjatë kalimit në territorin e shtetit tjetër”.

Pika 3: “Do të krijohet një grup punues me objektiv gjetjen e zgjidhjes përfundimtare rreth targave, bazuar në standardet dhe praktikat e BE-së. ky grup do ketë 6 muaj kohë për të mundësuar kalimin në zgjidhjen e përhershme, me çka edhe kufizohet afati i zbatimit të sistemit me afishe”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore