Libra

“Kështu foli Zaratustra”


Friedrich Nietzsche

Friedrich Nietzsche duke udhëtuar prej Italisë në majat e larta të Alpeve e në Sils-Maria, në vetminë e lartësive të maleve të ngrira e në bardhësinë verbuese, shkroi veprën më të madhe filozofike të tij, ‘Kështu foli Zaratustra’.

“U ula aty në pritje – në pritje të asgjësë,
Shijova, përtej të mirës dhe së keqes,
Herë dritën, herë hijen; ishte vetëm,
Dita, liqeni, mbrëmja, kohë pa fund.
Pastaj, miku im, papritur njëja u bë dy,
Dhe Zaratustra më kaloi pranë”.

Tashmë shpirti i tij kishte tejkaluar të gjitha margjinat dhe ishte gati të frymonte jashtë.

Kishte gurunë e tij, “Zaratustrën”, perëndinë e tij, “Mbinjeriun”, dhe fenë e tij, “rikthimin e përhershëm të së njëjtës”, dhe për herë të parë filozofia kishte nisur këngën e saj.

“Do ta këndoja një këngë, dhe do ta këndoj, edhe pse jam i vetëm brenda shtëpisë së zbrazur, dhe duhet t’ia këndoj veshëve të mi”.

“Yll i madh! – çfarë do të kishte qenë lumturia yte po të mos kishe për kë të shndërrisje?”.

Zaratustra, 30 vjeçar, merrë rrrugën tatëpjetë malit të tij meditues, për t’u dhënë “mend turmave të pamendtë”. Por ata e injorojnë për shfaqjen e njeriut që ecën mbi litar, i cili rrëzohet dhe vdes. Zaratustra e bartë në shpinë për ta varrosur, dhe i thotë “për shkak se e ke bërë rrezikun thirrje të jetës tënde, për atë arsye, me dy duartë e mia, do të të varrosë vetë”.

Zaratustra predikoi “jetën e rrezikshme” dhe thirrja e tij ishte “Jetoni në gjendje lufte”.

Kur Zaratustra ecën pyllin e në krah me kufomën, e takon një hermit që i flet për Zotin, dhe çuditet më vete.

“A mundet të jetë e vërtetë kjo që po e dëgjoj? Ky plak në pyll ende s’paska dëgjuar që Zoti ka vdekur?”.

“Për Zotat e vjetër, ata morrën fund qe shumë kohë. Dhe njëmend ishte fund i mirë e i lumtur për ta. Ata s’vdiqën duke rezistuar në perëndim, – edhe pse këtë gënjeshtër e thonë. Përkundrazi, ata e qeshën veten deri në vdekje! Kjo u erdhi, kur vetë një Zot, tha gjënë më të pazotë, fjalën: ‘nuk ka Zot përveç njërit! Nuk do të keni zota tjerë para meje.’”.

Zaratustra proklamon zotin e ri, Mbinjeriun, dhe Zaratustrën – ungjillin i këtij Zoti.

Këto dy ide të tij kanë qenë subjekt i keqkuptimeve të mëdha në historinë e filozofisë dhe letërsisë.

Ajo që Nietzsche ka ndërmend, nëse nuk dalim jashtë kontekstit të shkrimeve të tij me plotë nuanca dhe ironike, është sfidimi i njerëzimit për të krijuar vetë vlerat e tyre, për të shkatërruar tabelën e vlerave të vjetëra të moralit tradicional. Për t’u bërë më shumë se njerëz – mbinjerëz.

Nietzsche është i preokupuar me çlirimin dhe lulëzimin e individit, të shkëputur nga kthetrat e moralit që i thotë jo jetës, që jeton kundër jetës. Madhështia e njeriut konsiston në vetë-qeverisjen e tij, në vetë-krijimin e vlerave. Ai tejkalon moralin e turmave, dhe substanca e veprës ‘Kështu foli Zaratustra’ është në fakt ‘Testamenti i Ri’ i këtij morali të ri për t’u bërë “Mbinjeri”.

“Unë i dua përbuzësit e mëdhenj, se ata janë adhuruesit e mëdhenj, ata janë shigjeta që i janë sulur së përtejmes. I dua ata që s’shohin përtej yjeve arsye për t’u flijuar e për tu zhbërë, por i flijohen tokës, që toka një ditë të bëhet e Mbinjeriut”.

Zaratustra edhe vetes i drejtohet si “Ç’e ke hallin te vetja, Zaratustër, thuaji fjalët dhe bëhu copë-copë!”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore