Kosova

Këshilli i Sigurimit i OKB-së të premten diskuton për Kosovën


Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB)

Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) të premten do të shqyrtojë raportin e rregullt gjashtëmujor për Kosovën.

Raporti i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së do të prezantohet nga shefi i UNMIK-ut, Zahir Tanin.

Tanin ka deklaruar se raporti i ri është i fokusuar në reformën qeveritare, sundimin e ligjit, çështjet e sigurisë dhe situatën me pandeminë e COVID-19.

Ndërsa Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, të mërkurën ka udhëtuar për në New York për të marrë pjesë në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB -së ku raportohet për Kosovën.

Zyra për Media e Presidencës së Kosovës, kishte njoftuar të mërkurën rreth udhëtimit të Osmanit për në SHBA.

“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në New York, për të marrë pjesë në takimin e rradhës së Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, lidhur me raportimin periodik të Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për zhvillimet në Kosovë”, thuhet nga Zyra e Presidentes.

Sipas këtij njoftimi, në këtë takim të Këshillit të Sigurimit, Osmani do të paraqesë të arriturat e deritashme të shtetit të Kosovës, sfidat dhe perspektivën e vendit.

Kurse më 11 tetor, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur në takim shefin e UNMIK-ut, Zahir Tanin.

“Tanin prezantoi në pika të shkurta përmbajtjen e raportit të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë që do të prezantohet në Këshillin e Sigurimit. Raporti fokusohet në reformat e qeverisë, sundimin e ligjit, çështje të sigurisë si dhe gjendjen dhe menaxhimin e pandemisë”, thuhet në njoftimin për media të Zyrë së Kryeministrit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe shefi i UNMIK-ut, Zahir Tanin

Ndërsa, kryeministri Kurti e ka falënderuar shefin e UNMIK-ut për njoftimin rreth raportit, ku ka ngritur disa shqetësime lidhur me pluralizmin dhe demokracinë në komunat me shumicë serbe në Kosovë, thuhet në njoftim.

M 13 prill ishte mbajtur online sesioni i mëparshëm ku ishte raportuar për Kosovën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore