Lajme

Kësaj here, “regjistrimi i popullsisë do jetë cilësor”


Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), ka organizuar debat publik në lidhje me projektligjin e Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave në Kosovë.

Në debat u tha se “regjistrimi i popullsisë për vitin 2022, ndryshe nga herat e tjera, do të jetë më cilësor”.

Sipas kësaj agjencie, rreth 960 milionë të dhëna pritet të regjistrohen në databazë.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se regjistrimi i popullsisë do të shkurtojë kohën dhe do të ofrojë siguri në mbrojtjen e të dhënave.

“Regjistrimi i popullsisë do t’iu ofrojë një pasqyrë për përgatitjen e analizave, apo përpilimin e projekteve kapitale. Regjistrimi po ashtu do të ndikojë në hartimin e politikave. Ky do të jetë më cilësor, teknologjia që do të aplikohet do të jetë më i mirë”, është shprehur Murati.

Sipas tij, regjistrimi i popullsisë 2022, “do të mbulojë një boshllëk me të dhëna duke krijuar një bazë solide për hartimin zbatimin dhe monitorimin e një game të gjerë të politikave publike të cilat do të kenë ndikimin e drejtpërdrejt në mirëqenie”.

“Do të angazhohemi në rritjen e besueshmërisë, pjesëmarrjen aktive të qytetarëve e në garantimin e përdorimit të këtij informacionit në gjëra të mira”, shtoi ai.

E pranishme në këtë debat ishte edhe Zëvëndëskryeministrja, Emilia Rexhepi, e cila ka thënë se “Qeveria e Kosovës është e interesuar në këtë projekt, edhe pse pandemia COVID-19 ka bërë ndërprerje dhe pothuajse nuk ka të dhëna të sakta, do të jap kontributin tim”.

Në anën tjetër, Zëvendëskryeshefi ekzekutiv i ASK-së, Ilir Berisha, ka thënë se “projektligji në sigurimin e të dhënave do të mundësojnë planifikim dhe zbatim të politikave zhvillimore, krijimin e bazës për të dhëna statistikore mbi karakteristikat demografike dhe socio-ekonomike në vend e hulumtime shkencore”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore