Shqipëria

Kërkesa e ILD për masë disiplinore ndaj dy magjistratëve rrëzohet nga KLP


Këtë të enjte të 24 shkurtit, Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka shpallur vendimin për masë disiplinore ndaj dy magjistratëve.

Një nga magjistratët është F.G me detyrë prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë kurse tjetri është magjistrati M.L me detyrë prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë, me propozim të Komisionit Disiplinor, ka vendosur me shumicë votash për “Rrëzimin e kërkesës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, për dhënien e masës disiplinore ‘Vërejtje publike’ ndaj magjistratit F.G dhe magjistratit M.L”.

Sakaq, referuar detyrimit ligjor, vendimi i arsyetuar me shkrim i njoftohet Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe dy magjistratëve, brenda pesë ditëve nga data e shpalljes.

Lidhur me hetimin disiplinor nga ILD, ai ka nisur mbi ngjarjen e 28 shtatorit të vitit të kaluar në Ishull-Lezhë, ku si pasojë e veprimeve të kryera nga shtetasi A.R ka humbur jetën oficeri i policisë S. H.

Sipas ILD, veprimet e mosveprimet e prokurorit F.G në hetimin e shtetasit A.R janë mospërmbushje e detyrës së prokurorit.

Kurse për prokurorin M. L, ai ka lejuar pa shkaqe të arsyeshme moszbatimin e Udhëzimit të detyrueshëm të Prokurorit të Përgjithshëm, duke shkaktuar konfuzion.

Kështu, ILD në raportin hetimor nxjerr se veprimet dhe mosveprimet e ndërmarra nga ata përbëjnë shkelje disiplinore të lehtë.

Prandaj dhe i kërkoi KLP-së caktimin e masës disiplinore “Vërejtje publike” për dy magjistratët.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore