Shqipëria

Kërkesa e Idrizit: 27 qershori të shpallet dita e gjenocidit ndaj popullit të Çamërisë


Kryetari i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU), Shpëtim Idrizi ka kërkuar gjatë fjalës së tij në Kuvendin e Shqipërisë që data 27 qershor të shpallet dita e gjenocidit ndaj popullit çam.

“Kërkojmë që 27 qershori të shpallet dita e gjenocidit ndaj popullit të Çamërisë. Siç është e njohur botërisht, pas Luftës së Dytë Botërore mbi popullsinë çame u krye një gjenocid. 2 mijë e 770 jetë njerëzore u masakruan mizorisht, qindra fshatra u dogjën dhe u grabitën, si dhe 30 mijë shqiptarë u larguan. Po ashtu qindra të tjerë vdiqën nga uria”, u shpreh fillimisht Idrizi.

Gjithashtu, kreu i PDIU-së shprehu keqardhjen që ende nuk ka një rezolutë për heqjen e ligjit për luftën me Greqinë dhe avancimin për çështjen e shqiptarëve të Çamërisë.

“Ne si deputet kemi kërkuar rezolutë për Bosnjën, Australinë, Kosovën, Holokaustin dhe kemi bërë shumë mirë, sepse kjo kujtesë na tregon se këto raste nuk duhet të përsëriten më, por jam i keqardhur që ende nuk ka një deklaratë apo rezolutë për heqjen e ligjit për luftën me Greqinë dhe avancimin për çështjen e shqiptarëve të Çamërisë”, ravijëzoi Shpëtim Idrizi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore