Lajme

Kërcënon Dodik: Nëse Schmidt vendos një ligj për pronën, do votojmë për pavarësinë e Republikës Srpska


Millorad Dodik

Presidenti ultra-nacionalist i Republikës Srpska – entiteti serb në Bosnje e Hercegovinë – Millorad Dodik, ka kërcënuar se nëse Përfaqësuesi i Lartë në BeH, Christian Schmidt, vendos për një ligj për pronën, atëherë etniteti që ai udhëheqë do të shkëputet nga BeH.

“Do të mbahet një seancë e Asamblesë Kombëtare dhe menjëherë pas kësaj do të shpallet statusi i pavarur i Republikës Srpska”, ka thënë Dodik, pas një takimi me përfaqësuesit e autoriteteve të RS, transmeton “Radio Evropa e Lirë” në gjuhën serbe.

Më 2 mars, Gjykata Kushtetuese e BeH-së kishte pezulluar përkohësisht Ligjin për pronën e paluajtshme të përdorur për funksionimin e autoritetit publik në RS, në pritje të vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.

Ky takim i autoriteteve të RS-së vjen vetëm dy ditë pasi që Gjykata e BeH-së konfirmoi aktakuzën ndaj Dodik-ut dhe ushtruesit të detyrës së drejtorit të Gazetës Zyrtare të RS, Millosh Lukiç.

Ata akuzohen për veprën penale të moszbatimit të vendimeve të Përfaqësuesi të Lartë në BeH.

Aktakuza pasoi pasi Asambleja Kombëtare e RS miratoi dy ligje të diskutueshme më 27 qershor, të cilat Dodik i nënshkroi sipas procedurës së rregullt legjislative dhe u botuan në Gazetën Zyrtare të RS.

Këto ligje thonë se vendimet e Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë në Bosnje e Hercegovinë (OHR) nuk do të publikohen më në këtë gazetë.

Por, aktakuzën, në emër të RS-së e ka hedhur poshtë Dodik, duke e vlerësuar si “të motivuar politikisht”.

“Kemi kërkuar nga Gjykata Kushtetuese e Republikës Srpska të bëjë një deklaratë në lidhje me ligjin e vendosur nga Përfaqësuesi i Lartë në BeH. Gjithashtu konstatuam se është e padobishme, e dëmshme politikisht dhe e panevojshme të mbahen takime me ambasadat e SHBA-së, Britanisë së Madhe, Christian Schmidt dhe përfaqësues të OHR”, potencoi Dodik.

Integriteti territorial dhe sovraniteti i Bosnje e Hercegovinës si një shtet me dy entitete dhe Distrikti i Brçkos janë të garantuara me Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit, e nënshkruar më 1995.

Kjo marrëveshje dhe Kushtetuta e Bosnje e Hercegovinës nuk i japin asnjë entiteti të drejtën për t’u shkëputur.

Për shkak të veprimeve të tyre anti-Dejton, Milorad Dodik, President i RS, Zeljka Cvijanoviç, anëtare e Presidencës së BeH, Kryeministri i RS Radovan Viskoviç, Presidenti i Asamblesë Kombëtare të RS Nenad Stevandiç dhe Ministri i Drejtësisë Milosh Bukejloviç janë sanksionuar nga ShBA.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore