Lajme

Kërcënimi i BE-së për embargo të qymyrit rus drejton vëmendjen drejt Azisë


Prodhuesit rusë të qymyrit mund të luftojnë për të ridrejtuar vëllimet në tregjet aziatike nëse Bashkimi Evropian (BE) vazhdon të kërcënojë me një ndalim total të importit, thanë analistët.

Këtë javë, diplomatët e BE-së po diskutonin një embargo mbi blerjet e qymyrit rus, pjesë e një përpjekjeje për të penalizuar Moskën për pushtimin e saj në Ukrainë.

Por kufizimet në hekurudhat e Rusisë dhe mundësia që disa blerës aziatikë të vetësanksionohen dhe të ndalojnë blerjet duke ndjekur shembullin e BE-së, mund të tronditin sektorin.

“Mendojmë se tregu po përballet me një enigmë të ndërlikuar dhe presim që disa nga eksportet e Rusisë të humbasin për shkak të sfidave logjistike, ndoshta prej 30 milionë tonësh”, ka thënë analisti Marius van Straaten.

Tanimë, Rusia ka ndryshuar gradualisht vëllimet drejt Azisë, duke dërguar më shumë se gjysmën e eksporteve të saj të qymyrit në lindje vitin e kaluar.

Megjithatë, rreth një e katërta e eksporteve ruse të qymyrit termik –  48 milionë ton prej rreth 190 milionë ton, sipas të dhënave të Morgan Stanley – shkuan në Evropë vitin e kaluar.

Sipas Ministrisë Ruse të Energjisë, importet evropiane të qymyrit u rritën 10 për qind krahasuar me vitin e kaluar, teksa kontinenti kërkonte alternativa ndaj gazit të shtrenjtë.

“Ridrejtimi i gjithë këtij qymyri në lindje është i pamundur. Hekurudhat nuk kanë hapësirë shtesë për ta mbajtur atë”, tha Natalya Zubarevich, drejtoreshë në Institutin e Pavarur për Politikat Sociale në Moskë.

Shumica e qymyrit rus dërgohet me hekurudhë ose në Perëndim në portet e Balltikut dhe Detit të Zi ose në Lindje në portet e Paqësorit. Vetëm dy arterie hekurudhore lidhen nga lindja me perëndimin: hekurudhat Transsiberian dhe Baikal-Amur Mainline (BAM).

Për Zubarevich, paçka se kapaciteti është duke u zgjeruar, ai nuk do të bëjë ndonjë ndryshim të rëndësishëm për disa kohë.

Një përfaqësues në një nga prodhuesit më të mëdhenj të qymyrit në Rusi bëri me dije se  “çështja më e madhe që ka qenë në mendjen e të gjithëve në industrinë e qymyrit në Rusi kohët e fundit është kapaciteti i kufizuar i transportit”.

Sakaq, minatorët rusë po kërkojnë që operatori hekurudhor kombëtar monopol, të zhvendosë ngarkesat e mallrave të konsumit nga trenat në mënyrë që ata të krijojnë kapacitet për të eksportuar më shumë qymyr drejt Azisë.

Analistët janë gjithsesi në dilemë për sasinë e kërkesës jashtë Kinës edhe nëse çështjet logjistike kapërcehen.

Të tria vendet së bashku përbëjnë 28 për qind të eksporteve të qymyrit të Rusisë.

Marrë nga “Financial Times”, përshtatur nga “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore