Lajme

Kërcënimet e Dodik – Beqiroviç kërkon rritje të menjëhershme të numrit të ushtarëve të EUFOR-it


Denis Beqiroviç

Anëtari boshnjak i Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Denis Beqiroviç, kërkoi nga komandanti i EUFOR-it, Helmut Habermeier, që numri i ushtarëve të misionit paqerujatës të Bashkimit Evropian të rritet urgjentisht për shkak të “politikës së rrezikshme anti-Dayton” të Milorad Dodik, presidentit të Republikës Serbe.

Beqiroviç, siç transmeton rrjeti ballkanik i lajmeve “N1”, theksoi rolin e rëndësishëm të EUFOR-it në Bosnjë-Hercegovinë si garantues i stabilitetit dhe sigurisë. Ai tha se Bosnje-Hercegovina mbetet e përkushtuar për ruajtjen e një mjedisi të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët dhe kontributin për paqen ndërkombëtare.

Ndërkaq, komandati Habermeier theksoi se trupat e EUFOR-it po monitorojnë me kujdes situatën e sigurisë në Bosnjë-Hercegovinë. Po ashtu, theksoi se misioni i EUFOR-it vazhdon të komunikojë me të gjitha autoritetet lokale në të gjitha pjesët e Bosnjë-Hercegovinës përmes një rrjeti ekipesh ndërlidhëse dhe vëzhguese.

EUFOR si mision në Bosnjë-Hercegovinë funksionon që nga viti 2004 dhe përbëhet nga 3 mijë e 500 trupa. Perëndimi vazhdimisht e ka bërë të ditur se në kontekstin e krizës në Ukrainë, jo vetëm që do të mbajë EUFOR-in në Bosnjë-Hercegovinë, por edhe do ta fuqizojë edhe më tej.

Me të filluar agresioni rus mbi Ukrainën, e menjëhershme ka qenë rritja e prezencës së EUFOR-it në Bosnjë-Hercegovinë si përgjigje ndaj një bartjeje potenciale të konfliktit në Ballkanin Perëndimor.

Bosnjë-Hercegovina, ashtu si Ukraina, ka thënë prej kohësh se dëshiron të anëtarësohet në NATO – një pozicion që ka zemëruar Rusinë. Serbët e Bosnjë-Hercegovinës, të udhëhequr nga pro-rusi dhe ultrnacionalisti serb, Milorad Dodik, duan që vendi të mbetet neutral dhe të qëndrojë jashtë NATO-s.

EUFOR është vendosja ushtarake e BE-së që mbikëqyr zbatimin ushtarak të Marrëveshjes së Dejtonit. Megjithatë, sëfundoi lideri i serbëve kërcënoi se do të shkëputej nga Bosnjë-Hercegovina nëse rrezikohej integriteti territorial i Republikës Serbe. Dodik e ka përsëritur shumë herë retorikën e tij separatiste.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore