Lajme

Keqinformimi mbi ndryshimet klimatike në versionet e Wikipedia-s


Disa faqe të Wikipedia-s në gjuhë të huaja promovojnë teori konspirative dhe ngrenë pretendime mashtruese lidhur me ndryshimet klimatike.

Të paktën kështu ka rezultuar nga një zbulim i agjencisë së lajmeve, “BBC”.

Një numër i faqeve sugjerojnë se shkencëtarët janë të ndarë rreth shkaqeve të fenomenit, ndërkohë që konsensusi dërrmues shkencor është se ngrohja globale është shkaktuar nga njerëzit.

Një përfaqësues i Fondacionit Wikimedia, i cili drejton Wikipedia-n, ka treguar se ishin “të shqetësuar” nga gjetjet dhe se nevojiteshin më shumë redaktorë vullnetarë.

Në Wikipedia-n kineze, kërkimi për ndryshimet klimatike rendit aktivitetin diellor si një nga shpjegimet e mundshme për rritjen e temperaturave në mbarë botën.

Kurse teori të tjera të kundërshtuara gjerësisht përfshijnë pretendime të pabaza për shfaqjen e një qeverie totalitare botërore dhe lidhjen e thirrjeve për veprim klimatik me interesa të fshehta financiare.

Ndërkaq, në Wikipedia-n kroate, më shumë se një e treta e faqes për ngrohjen globale i kushtohet vënies në dyshim të shkencës, duke nxitur gjithashtu pikëpamje konspirative.

Informacion jo i përshtatshëm

“Kjo më shqetëson shumë”, ka thënë strategu i lartë i programit të Fondacionit Wikimedia, Alex Stinson.

“Dhe kjo është arsyeja pse kemi nevojë për më shumë njerëz të përfshirë në këtë projekt”, ka vijuar ai.

“BBC” dallon se Wikipedia botohet në më shumë se 300 gjuhë të ndryshme, secila me përmbajtjen e saj origjinale dhe redaktorët vullnetarë.

E hapur për këdo që ka një lidhje interneti për të modifikuar, cilësia e përmbajtjes së platformës varet tërësisht nga vullnetarët.

Sipas Stinson, përfshirja e më shumë vullnetarëve në gjuhë të ndryshme do të ulte shanset e teorive të konspiracionit dhe informacioneve të këqija që mbeten në faqe.

Yumiko Sato, një shkrimtare japoneze me bazë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e cila ka hetuar keqinformimet në platformë, ka thënë se “Wikipedia funksionon vetëm nëse komuniteti i redaktimit është i madh dhe i larmishëm”.

E nisur në vitin 2001, enciklopedia online është një nga faqet e internetit më të vizituara në botë, veçon “BBC”.

Ndër më të mëdhenjtë, versioni në gjuhën angleze, ka më shumë se 40 mijë përdorues që e modifikojnë atë në mënyrë aktive çdo muaj.

Lidhur me faqet mbi ndryshimet klimatike, ato kanë një grup redaktorësh vullnetarë të përkushtuar që patrullojnë në mënyrë aktive për çdo pseudoshkencë.

Por e njëjta gjë nuk vlen për shumë nga faqet në gjuhë të tjera.

Në më shumë se 150 gjuhë, më pak se 10 persona në muaj redaktojnë rregullisht çdo faqe.

“Këto versione janë shumë më të vogla dhe nuk kanë diversitet editorial, kështu që i bën ata të prekshëm ndaj manipulimit”, ka sqaruar Sato.

Heqja dorë nga keqinformimi

Një nga parimet thelbësore të Wikipedia-s është vetëqeverisja.

Pra, nëse komuniteti i redaktorëve nuk ndërhyn, Fondacioni Wikimedia mund të bëjë pak për këtë, shpjegon “BBC”.

“Fondacioni nuk ka ndërhyrë kurrë në politikat editoriale drejtpërdrejt dhe kjo nuk është ajo që ne bëjmë”, ka zbuluar Stinson.

“Duhet të heqim dorë nga ky keqinformim në shkencë, por kjo funksionon vetëm nëse shkencëtarët shfaqen në atë gjuhë, në atë kontekst dhe në atë version të Wikipedia-s”, ka ravijëzuar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore