Jetesë & Stil

Këngëtarja Ellie Goulding në pritje të ëmbël


Këngëtarja angleze, Ellie Goulding, ka bërë të ditur se është shtatzënë. Ajo dhe bashkëshorti i saj Caspar Jopling, po presin të bëhen prindër për herë të parë.

Goulding, është në javën e 30-të të shtatzënisë dhe lajmin se ajo nisi rrugën për t’u bërë nënë, e mësoi pikërisht në përvjetorin e pare të martesës me Jopling, shkruan Vogue, transmeton Albanian Post.

Për çiftin kjo ishte një surprizë pasi që ata nuk e kishin planifikuar një gjë të tillë, e sidomos në këto kohë pandemie.

Ylli i hitit “Love me like you do”, tha se jeta e saj ka ndryshuar plotësisht që kur ka mbetur shtatzënë.

“Unë në fakt u largova nga vetëkënaqësia dhe mëngjeset e mija të shëndetshme, tani dua vetëm McDonalds, ushqime me shumë sheqer dhe karbohidrate, sepse këto siç duket i pëlqejnë bebes sime në bark”  tha Goulding.

Kur bëhet fjalë për përvojën emocionale të të qenit shtatzënë gjatë kësaj periudhe pandemike, Ellie thotë se kjo çoi në vetë-reflektim duke i kushtuar më shumë kohë vetës dhe familjes.

“Është e bukur të kesh pranë vetës partnerin e jetës dhe një fryt që po zhvillohet brenda teje. Që kur pandemia nisi të shfaqet, jam lidhur më tepër me familjen dhe miqtë e mi, me të cilët nuk e kam pasur luksin të kaloj kohë kaq shumë, për shkak të angazhimeve dhe koncerteve të mija” thotë ajo, transmeton Albanian Post.

 

Ellie dhe Caspar të cilë dashurinë e tyre e kurorëzuan në gusht të 2019-tës, nuk shprehen entuziastë për gjininë e bebes së tyre, ata vetëm duan që foshnja të lind në mënyrë të rregullt dhe të jetë e shëndetshme.

“Ne nuk jemi të fokusuar në gjininë e bebes. Kemi pranuar rezultatet e para rreth kësaj, por nuk është diçka që neve na bën përshtypje. Ne thjesht duam që të kemi një fëmijë të shëndetshëm, pastaj gjinia nuk është me rëndësi” shprehet Goulding.

Shtatzënia ka ndikuar që këngëtarja dhe tekst shkruesja, Ellie Goulding, të interesohet si kurrë më parë për procesin e lindjes dhe detajeve rreth barkut të rrumbullakosur.

“Asnjëherë nuk kam dashur të dëgjoj histori të grave të tjera kaq shumë. Po përpiqem të mësoj rreth shtatzënisë shumë më shumë tani dhe të mos shqetësohem për të ardhmen, sepse realisht çdo ditë është ndryshe” shton ajo.

Ellie Goulding shprehet e emocionuar kur mendon se së shpejti në duar do ta mbajë “kryeveprën” e saj, e po ashtu në planet e saj është rikthimi në koncerte.

“Jam e ngazëllyer që do të bëhem nënë – por gjithashtu dua të sigurohem që të vazhdoj të punoj. Mezi pres të kthehem në turne, dhe kjo është një sfidë për mua. Do të jetë një përvojë krejtësisht e re ” përfundon ajo.

Goulding, ka ndarë me publikun imazhe nga pritja e ëmbël, ku edhe pranoi urime të shumta nga fansat dhe kolegët e saj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore